Presidenti i vendit Ilir Meta po zhvillon një takim me përfaqësues të shoqërisë civile, mbi ecurinë e procesit përgatitor të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij, Kreu i Shtetit tha se duhet garantuar një proces i lirë dhe i ndershëm.
Ai tha se nuk është naiv aq sa të pretendojë zhvillimin e zgjedhjeve sin ë Suedi apo në Danimarkë, megjithatë thotë se mund të pretendojmë së paku zgjedhje që ti ngjarjnë atyre të fundit në Kosovë.
“Dy janë detyrat e mia më të rëndësishme, për të dhënë kontributin tim maksimal për përballimin e pandemisë, sepse shëndeti është gjëja më e rëndësishme, dhe për t’i shërbyer garantimit të zgjedhjeve të lira e demokratike, që janë baza e gjithçka për vendin tonë. Jo vetëm se tani janë kryekushti për çeljen e negociatave, por edhe për arsyen tjetër, sepse ato qëndrojnë në themelet e Republikës sonë, që janë tronditur rëndë që nga pluralizmi politik. Nuk jam naiv që të pretendoj zgjedhje si në Danimarkë a Suedi, por mendoj se i kemi të gjitha mundësitë që të paktën t’i ngjajmë Kosovës me zgjedhjet e fundit apo Maqedonisë së Veriut.
Mendoj se duhet t‘i kushtojmë vëmendje më shumë informimit të zgjedhësve, edukimit të tyre, sqarimit e shmë elementeve konkretë, që kanë të bëjnë me informimin e votuesit dhe mënyrën si ai do të zgjedhë dhe padyshim që është e rëndësishme që t’i ndërgjegjësojmë qytetarët që në një sistem demokratik fuqia është vota e tij, dhe kjo është një fuqi që ai duhet ta tregojë, duhet të ketë besim, pasi cdo demotivim, çdo përgjumje apo indiferencë nuk i shërben demokracisë, por edhe vetë qytetarit që të jetë më kërkues për të qenë më aktiv në rindërtimin e sistemit të llogaridhënies, që thuajse është rrëzuar në vendin tonë. Çdo qytetar që nuk voton, moralisht nuk ka të drejtë të ankohet. Çdo qytetar që e shkëmben votën me favore të caktuara apo e shet atë, ai ka humbur çdo të drejtë llogaridhënie ndaj atij tjetrit, i cili i ka ofruar favorin apo paratë.
Ndaj unë mendoj se kemi nevojë për një bashkërendim në të gjitha drejtimet për të garantuar një proces sa më dinjitoz, që do të mund të kapërcente kryekushtin më të madh për integrimin. Zgjedhjet e lira e të ndershme me një pjesëmarrje masive të popullit tonë do të jetë një kontribut i madh për të kaluar këtë tranzicion.”– deklaroi Meta.