Vendosni fjalën kyçe....

Bolsonaro u thotë brazilianëve “boll u ankuat” për koronavirusin


Presidenti Jair Bolsonaro u ka thënë brazilianëve që të “ndalojnë së ankuari” për Covid-19, ndërsa u shpreh kundër masave të forta të vendosura për të frenuar koronavirusin, pavarësisht rritjes së numrit të rasteve të të infektuarve dhe vdekjeve.

Komentet e tij erdhën një ditë pasi Brazili pa një rritje rekord të vdekjeve gjatë një periudhe 24-orëshe.

Brazili po përballet me fazën e tij më të keqe të pandemisë ende, duke e lënë sistemin e tij shëndetësor në krizë. Si përgjigje, disa qytete dhe shtete kanë vendosur kufizimet e tyre.

Ministria e shëndetësisë e Brazilit thotë se më shumë se 260 mijë njerëz kanë vdekur me Covid-19, që është numri i dytë më i lartë i vdekjeve pandemike në botë pas SHBA-ve.

Të enjten, 1,699 vdekje të tjera iu shtuan këtij numri, ndërkohë u raportuan 75102 raste të tjera të koronavirusit u raportuan, rritja e dytë më e lartë ditore e regjistruar.

Shpërthimi i rasteve i është atribuar përhapjes së një varianti shumë ngjitës të virusit që mendohet të ketë origjinën në qytetin e Manaus.

Megjithatë, presidenti Bolsonaro vazhdoi të minimizonte kërcënimin e paraqitur nga virusi dhe të kritikojë masat e forta.

“Ndaloni së ankuari. Sa kohë do të vazhdoni të qani për këtë? Për sa kohë do të qëndroni në shtëpi dhe do të mbyllni gjithçka? Askush nuk mund ta durojë më. Ne pendohemi për vdekjet, përsëri, por kemi nevojë për një zgjidhje.”– tha Bolsonaro.

Çfarë reagimi ka pasur ndaj komenteve të Bolsonaros?

Komentet u pritën me një përgjigje të furishme nga guvernatori i São Paulo-s, João Doria, i cili ka qenë veçanërisht i ashpër në trajtimin e pandemisë.

Duke folur për BBC-në, Doria e quajti presidentin Bolsonaro “një djalë i çmendur” për sulmin ndaj “guvernatorëve dhe kryetarëve të bashkive që duan të blejnë vaksina dhe të ndihmojnë vendin për t’i dhënë fund kësaj pandemie”.

“Si mund ta përballojmë problemin, duke parë njerëzit që vdesin çdo ditë? Sistemi shëndetësor në Brazil është në prag të kolapsit.”-tha Doria.

Presidenti Bolsonaro ka kundërshtuar vazhdimisht masat e karantinës të paraqitura nga guvernatorët, duke argumentuar se dëmi kolateral i ekonomisë do të jetë më i keq se efektet e vetë virusit.

“Për fat të keq, Brazili duhet të luftojë në këtë moment, dy viruse: virusin koronavirus dhe Bolsonaron. Ky është një trishtim për brazilianët.”- vazhdoi Doria.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *