Vendosni fjalën kyçe....

Shpallet fituesi për aeroportin e Vlorës, Rama: I lumtur se është kompania e Behgjet Pacollit


Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Energjisë dhe e Infrastrukturës Belinda Balluku, kanë shpallur sot fituesin e garës për aeroportin e Vlorës.

Rama tha se fituesi është një bashkim kompanish, mes të cilave edhe një kompani e Behgjet Pacollit.

“Sot ne e kemi fituesin më në fund dhe jam shumë i lumtur për hir të së vërtetës, që baza e Konsorciumit është kompania e Behgjet Pacollit.

Tanimë Pacolli do ta ketë mundësinë të provojë atë që ka mundësinë të provojë dhe ka dëshiruar ta provojë dhe më ankohet mua sa herë e takoj, pse s’po jap unë një ndihmë të lë gjurmën time për Shqipërinë.

Më vjen mirë që duke pasur një kompani shqiptare dhe me një partner si Behgjet Pacolli, të jemi të çliruar nga çdo pengesë e natyrës së këtyre marrëdhënieve me kompanitë e huaja, që mund të jenë po kaq të mira e të interesuara, por në një moment të caktuar bëhen krejtësisht të ftohta, shurdhe e qorre në raport me kërkesat që ti’ mund të kesh për cilësinë dhe shpejtësinë e punës.

Unë jam shumë i bindur që tanimë nuk ka pengesa, të paktën nga ato që dimë dhe ato që duken. Larg qoftë ndonjë nga ato gjëra që nuk dimë na del përpara, por sot asgjë nuk na pengon të firmosim kontratën pas periudhës 30 ditore që parashikohet, që besoj se është e mjaftueshme për të vënë pikat mbi i në raport me palët.”– deklaroi Rama.

Siç bëri me dije ministrja Balluku, fituesi i tenderit për aeroportin e Vlorës është një bashkim i kompanive të regjistruara në Zvicër, Mabco Construction (Mabetex Group) (50%); YDA – Group (48%); 2A Group SH.PK (2%),  ku vlera e investimit është 103.966.030 euro. 

Ish-kryediplomati Kosovar, Behgjet Pacolli, e ka themeluar kompaninë e tij Maxebex Project Ingineering në vitin 1990 në Lugano të Zvicrës dhe operon në fushën e ndërtimit./ Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *