Vendosni fjalën kyçe....

Nis rrjeti i parë super i shpejtë 5G në Rusi


Operatori rus i telekomunikimit MTS ka njoftuar se disa nga klientët e saj do të jenë në gjendje të hyjnë në rrjetin e parë 5G të kompanisë, në më shumë se 10 zona përreth kryeqytetit rus.

Rrjeti ultra-i shpejtë është vendosur të mbulojë lokacione të tilla të njohura të Moskës, si Parku Gorky, një zonë përreth Universitetit Shtetëror të Moskës (MSU), si dhe Qendrën Ndërkombëtare të Biznesit në Moskë. Mbulimi me rrjetin 5G përfshin një total prej 14 zonash dhe është vendosur të zgjerohet më tej në të ardhmen e afërt, shkruan RT. Një rrjet i ngjashëm që mbulon rreth 10 zona do të nisë në Shën Petersburg këtë verë.

“Pas provave të shumta në zonën 5G, kompania jonë ka nisur rrjetin e parë pilot në shkallë masive të gjeneratës së pestë në Rusi, i cili është i disponueshëm për mijëra klientët tanë në kushte të jetës reale.”-tha të Premten presidenti i MTS-së, Alexey Kornya.

Rrjeti i gjeneratës së re do t’u mundësojë përdoruesve të shkarkojnë të dhëna me shpejtësi deri në 1.5 gigabit për sekondë. Kjo do të thotë që një film (me një madhësi prej rreth 10 gigabajt) mund të shkarkohet në më pak se një minutë. Përveç internetit të shpejtë celular, në të ardhmen rrjetet 5G kanë për qëllim të ndihmojnë në zhvillimin e sistemit të transportit dhe përmirësimin e sigurisë në qytet, tha MTS.

Sidoqoftë, jo të gjithë klientët e MTS-së mund të provojnë rrjetin 5G. Operatori planifikon t’u dërgojë ftesa disa klientëve të tij kur ato janë afër një prej zonave 5G.

Rusia synon të bëhet një nga vendet kryesore 5G në botë, pasi dëshiron të nisë rrjetin super të shpejtë në të paktën dhjetë qytete të mëdha deri në vitin 2024. Sipas planit, pesë milion njerëz do të kenë mundësi të hyjnë në rrjet deri në atë kohë. Në më pak se një dekadë, deri në vitin 2030, më shumë se një e treta e popullsisë ruse pritet të kalojë në 5G, me bazën e përdoruesve që pritet të rritet dhjetëfish dhe të arrijë në 50 milion njerëz.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *