Vendosni fjalën kyçe....

“Nuk u ngopa njëherë në atë spital” – Mjekja e ‘Shefqet Ndroqit’ mohon akuzat e ish-pacientit


Deklaratat e një ish-pacienti me Covid-19, kanë detyruar sot një mjeke të spitalit ‘Shefqet Ndroqi’ të dalë në një intervistë për mediet, për të përgënjeshtruar akuzat e tij.

Ish- pacienti Andon Qako deklaroi mesditën e sotme për televizionin “News24” nga spitali Infektiv ku kishte të shtruar një të afërme, se ushqimi që ofrohej në spital nuk ishte i duhuri dhe as i mjaftueshëm, se stafi ishte i vogël dhe se atë e çuan të dilte nga spitali pas ankesave të shumta të tij.

“Unë isha vetë tek ‘Shefqet Ndroqi’ dhe kam dalë në datën 7 ose 6 dhjetor, dhe atje unë vdisja për të ngrënë. Vdisje, nuk kishe ushqim. Nuk u ngopa njëherë. Unë kisha fatin e keq se i kisha të gjithë jashtë shtetit dhe nuk kisha mundësi që të blija, vetëm nja dy herë që më blenë sanitaret, vdisje për të ngrënë. Ushqimi kermë, mizerabël. Sa unë i them psikologes Irena, ku protestova për shumë gjëra. Parakalonin të vdekurit. I thashë po unë pse të shoh të vdekurit, të vdes unë. Mirë unë gradë e parë, por këta të tjerët që ishin në gradë të fundit. Ai parakalonte të vdekurit me karrocë. I kishte paketuar të vdekurit në qese dhe nuk mbyllej as dera që të mos i shihnim. Se thonim ej këta po vdesin, edhe unë do vdes. Unë në 19 ditë, kam parë 60 të vdekur, dhe prandaj dola nga spitali. Unë dola në shenjë proteste, se unë jam kërcënuar me jetë në atë spital.

Ishte një Pukjan, e quanin Lekë në gradë të fundit dhe më kërkonte ndihmë. Ka 13 pacientë për infermiere, e ai kërkonte infermiere. E unë thirra infermieren. Ajo nuk vinte. E ky punonjësi që transportonte mjekët, më tha: ‘Do të nxjerrim me sytë përpjetë’. ‘Si me sytë përpjetë, do të vdes unë, do më vrisni’– I thashë. Nuk ishte mjek, ishte punonjës. Unë protestova, kam dalë nga spitali. Mora policinë, por s’ma morën denoncimin. Nuk marr më asnjë ilaç, asnjë shërbim sepse s’mund të përballoj kërcënimin.”- ishin akuzat e forta të qytetarit.

Mjekja Silva Bala e spitalit ku ka qenë i shtruar ish-pacienti, ka reaguar në një lidhje skype me “News24”, ku hodhi poshtë akuzat. Madje tha do i drejtohen prokurorisë për të hetuar e zbardhur të vërtetën.

“Nëse nuk gaboj, ka qenë i shtruar në një nga klinikat e mia, në pavionin e tretë A, i është shërbyer, ka marrë mjekimin dhe ka dalë vetë nga spitali. Nuk do kishte dalë nga ne nëse nuk do ishte shëruar, ka ikur vetë pa pritur asnjë njeri. Në spital ka psikologe, ka shkuar edhe te ky pacient. Është një pacient që është trajtuar, ka dalë nga spitali me gjithë dokumentacionin e rregullt.” -tha mjekja për rastin e qytetarit.

Ajo tha se janë 60 shtretër të lirë, ndërsa pacientët kanë kujdes të vazhdueshëm gjatë gjithë kohës dhe nuk iu mungon asnjë medikament. Bala tha se aktualisht një infermiere kujdeset për 5-6 të sëmurë.

Ndërsa për akuzat lidhur me ushqimin, ajo tha: “Mua më vjen keq që me punën e personelit të luhet në këtë mënyrë, të sfumohet apo shkelet puna e personelit që është në detyrë 24 orë në 24. Nuk është e vërtetë që ushqimet e familjarëve nuk lejohen dhe u merret në sajë të vlerave monetare. Absolutisht jo! Aty ka 2 personel shëndetësor, që në orare të caktuara marrin ushqimet dhe veshmbathjet që i dërgojnë në dhomat përkatëse. Kjo është të luash edhe me jetën e të sëmurëve e familjarëve, një propagandë e tillë, nuk i shërben askujt, por më shumë pacientëve.”

Sa i takon ushqimit që u jepet pacientëve nga spitali mjekja tha se ai hartohet me dieotologë, dhe nuk i kursehet askujt.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *