Vendosni fjalën kyçe....

Rama prezanton kandidatin për deputet nga emigracioni: Punon në bashkinë e Londrës


Ndërsa fliste për programin e tij për emigracionin, kryeministri Edi Rama prezantoi sot një kandidat të ri në listat e PS-së për zgjedhjet e 25 Prillit. Ai është një emigrant shqiptar në Londër, Lavdrim Krashi nga Dibra.

“Ne në listat e 25 prillit do të kemi emigrantë të sotëm dhe të djeshëm. Duam t’ju japim një mundësi të re emigrantëve.

Këtu kam kënaqësinë dhe nderin të ftoj një emigrant nga Londra, i cili është bashkë me mua dhe do të jetë pjesë e skuadrës sonë të 25 Prillit. I dashur eja, Lavdrim Krashi prej Dibre, ikur prej shumë e shumë vitesh. Jetuar e përpjekur si gjithë të tjerët duke e nisur nga hiçi dhe sot shërbëtor publik i qytetarëve të Londrës në bashkinë e Londrës. Njëkohësisht një njeri i respektuar nga shqiptarët në komunitetin aty.

Lavdrim, është kënaqësi dh ender. Fjala për ty”- tha Rama.

“Unë quhem Lavdrim Krashi, jam një djalë prej Dibre siç e thatë edhe ju. Jam lindur, rritur dhe arsimuar në Dibër në fakt dhe për të më merr malli gjithmonë dhe kryet i kam përherë drejt saj.

Unë jam larguar prej Shqipërie në vitin 1994. Duket shumë i largët tani, sapo kisha mbaruar universitetin, për inxhinier kimist në atë kohë dhe fitova një bursë për të shkuar në Britaninë e Madhe për studime pasuniversitare.

Ëndrra ime atëhere ishte që të qëndroja rreth dy vite në Angli dhe pastaj të kthehesha në Shqipëri. Në fakt ndodhi ajo që s’duhej të kishte ndodhur dhe që e ka kthyer Shqipërinë disa dekada mbrapa, ngjarjet e rënda të vitit 1996 dhe 1997. Dhe kjo do të thosha është arsyeja kryesore pse vendosa që të qëndroj në Britaninë e Madhe. Përpos kësaj unë ndërtova një karrierë në Britaninë e Madhe. Unë jam një shërbëtor publik në bashkinë e Londrës dhe jam drejtues i politikave të planifikimit urban dhe të strehimit. Londra përveç gjithë lavdive dhe shkëlqimit të madh që ka, ka edhe një plagë shumë të rëndë që është mungesa e strehimit.

Në fakt do thoja edhe diçka, që çfarë më ka tërhequr mua personalisht që të ndryshoj karrierën nga inxhinier kimist për t’u bërë një shërbëtor publik, posaçërisht në pjesën e strehimit. Kjo ka lidhje me Nënë Terezën e Madhe, sepse kur ajo mori Çmimin Nobel në vitin 1975, ajo vizitoi së pari Londrën pasi kishte marrë çmimin dhe ajo i kërkoi kryeministrit të dilte nga protokolli të fliste për një çështje të rëndë që kishte Britania e Madhe. Ajo i tha: ‘Të lutem bëj diçka për të pastrehët’, për shkak se një natë më përpara ajo vetë kishte numëruar mbi 2 mijë të pastrehë në metronë e Londrës.”– tha kandidati për deputet.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *