Kryeministri Edi Rama s’ka lënë aleat të rivalit të tij Lulzim Bashës pa komentuar e pa ofentuar në prezantimin e programit të tij për Emigraciopnin, ku prezantoi edhe tre kandidatë emigrantë.
Duke filluar nga kryetari i PD-së Lulzim Basha për të vazhduar me kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhin e të gjithë aleatët e tjerë me radhë, Rama s’la fjalë pa thënë.
“Duke filluar që nga Luli, që lufton të kapë një humbje, që të jetë një fitore më e madhe se humbja e herës së shkuar, te Monika që lufton të mbajë Lulin lidhur për hesap të Ilirit dhe Saliut, për të kapur drejtësinë me duart e Lulit.
Pastaj Agron Duka, që do të mbahet mend si i vetmi kryetar partie pas 1912, që nuk e nxori asnjë ditë nga garazhi partinë e tij Agrare, që ja justifikon emrin vetëm me faktin që ai vetë jeton me tagjinë e SHQUP, në pritje që Luli ta ribëjë pakëz ministër Bujqësie, meqë Agroni si gjeli i Agrares, përfaqëson aq shumë gjela e pula.
Fatmir Mediu, që vulën e PR të Sabri Godos, e mban në xhep si certifikatë besnikërie ndaj pronarëve, por në fakt të vetmen certifikatë prone që ka arritur të sigurojë për ta është hipoteka e vendit të tij si deputet i përjetshëm në pronën SHQUP.
Dash Shehi, që ka 100 vjet që i jep të djathtës frymën liberale të rakisë, që flet më lirshëm se vetë autori, i cili arsyen më të fortë për të vazhduar të jetë deputet ka kafenenë e Parlamentit, ku ka kaluar më shumë kohë se të gjitha banakieret e marra së bashku dhe ka zbrazur më shumë uiski se gjithë zona e Partizanit të panjohur, që nga koha e rënies së komunizmit.
Vangjel Dule, i të drejtave dhe lirive të njeriut, që në televizor është balli i lartë i minoritetit grek, ndërsa në KÇK është fundshpina e ulët e sekserit të Çamërisë.
Tym Idrizi i doganave, që televizionin e ka për luftë gjakatare me grekun, ndërsa deputetllëkun për të shitur vende pëllumbash në zyrat e shtetit.
Pa harruar Nard Ndokën, i vetmi profil filozofik në atë grumbullim, që as humoristi me humorin më të zi nuk do ja servirte një populli, duke i shpikur kaq shumë në numër.
Nuk mungon dhe një personalitet, që vizitën e ka tronditëse, Xhelal Mziu deputet! Dhe humori bëhet i zi blozë fare fare, kur këta thonë na jepni votën, që të ndalojmë emigracionin. Pra, votoni këta që rinia të mos ikë në Gjermani, madje që rinia gjermane të turret në Jalë, të bëjë qejf me tiganin e LSI, të argëtohet me Dashin e rakisë, me pulat dhe vezët e Gonit, me sofizmat e Nardit dhe të kalojë më tej te Idrizi i Çamërisë dhe Dulja e Greqisë.
Mund të duket shaka ose cinike, por mos harroni që në atë koalicion është dhe një Xhaferr nga Durrësi, që tha se po më votuat, do ju ndryshoj cilësinë e diellit.”- tha kryeministri Rama.