Vendosni fjalën kyçe....

Belgjika sekuestron serverat e kompanisë SKY, përdorej nga narkotrafikantët


Policia në Belgjikë ka sekuestruar serverat e kompanise SKY këtë mëngjes, pasi ky rrjet përdorej nga narkotrafikantët për të kryer komunikimet për planet e tyre kriminale lirshëm, pa u përgjuar nga autoritetet.

Mediet belge shkruajnë se policia ka kryer rreth 200 kërkime këtë mëngjes, duke synuar krimin e organizuar. Operacioni është rezultat i një bashkëpunimi intensiv ndërkombëtar. Në Belgjikë, forcat e sigurisë u mobilizuan në të gjithë territorin veçanërisht përreth qytetit të Antwerp-it, ku porti shihet si një qendër për trafikun e drogës. Kërkime u kryen gjithashtu në Bruksel, Limburg dhe Wallonia. Në këtë pikë, më shumë se dhjetë persona janë privuar nga liria dhe janë sekuestruar qindra mijëra euro si dhe armë.

Ky operacion vjen pas dy vjet e gjysmë hetimesh nga Policia Gjyqësore Federale, Prokuroria Federale dhe Prokuroria e Antwerp-it. Prokuroria federale thotë se do të komunikojë nesër për këtë dosje.

Sidoqoftë, mediet lokale raportojnë se kanë mësuar nga disa burime që hetimi është përqendruar në rrjetin e komunikimit të përbërë nga kriptofonë të kompanisë SKY ECC, ndonjëherë të referuar si telefona PGP (“Pretty Good Privacy”) ose shumë të sigurt kur bëhet fjalë për privatësinë, të përdorur gjerësisht nga qarqet e krimit të organizuar. Kriminelët, ndonjëherë nga jashtë, i marrin pajisjet e tilla nga tregtarët që veprojnë në Belgjikë. Mjedisi i drogës, krimi i rëndë financiar dhe korrupsioni janë ndër çështjet e hetuara nga policia gjyqësore federale.

Sipas informacionit të raportuar, oficerët e policisë federale, veçanërisht brenda “njësisë federale të krimit kompjuterik”, kanë arritur të infiltrojnë, spiunojnë dhe lokalizojnë pajisjet e krijuara për të siguruar diskrecionin maksimal për përdoruesit e tyre. Falë një pune të konsiderueshme teknike dhe kompjuterike, hetuesit kanë fituar akses të drejtpërdrejtë në miliona mesazhe në lidhje me projekte kriminale, kryesisht biseda të fshehta të karteleve të drogës. Duke besuar se janë të sigurt nga përgjimi nga autoritetet, të dyshuarit ndonjëherë komunikonin të papërmbajtur përmes këtij rrjeti.

Çështja po zvarritet dhe zbatimi i ligjit duket se i ka vënë vetes tre qëllime: Së pari, të prishë rrjetin duke mbyllur shitësit e pajisjeve. Së dyti, të kapë “në terren” kriminelë të tillë si trafikantë droge. Së treti, të gjurmohen ata që do të lehtësonin aktivitetet e organizatave kriminale duke i informuar ata, duke i ndihmuar ata të pastrojnë para, madje edhe duke i mbrojtur ata nga një pozicion i privilegjuar në formën e pakteve të korrupsionit. Të gjithë elementët e mbledhur do të drejtojnë punën e policisë dhe gjyqësorit për shumë muaj, në Belgjikë por edhe jashtë saj, pasi organizatat kriminale veprojnë përtej kufijve.

Kriptofonët janë telefona celularë me reputacion të padepërtueshëm dhe të pamundur për t’u përgjuar. Mbrojtja e komunikimeve të siguruara nga përdorimi i një aplikacioni të koduar të mesazheve rritet duke çaktivizuar kamerat, mikrofonët, sistemin GPS ose lidhjen USB. Është gjithashtu e mundur të fshihen të gjitha të dhënat nga telefoni në distancë nëse ato kapen nga autoritetet.

Në vitet e fundit, policia është përballur rregullisht me këtë teknologji, e cila është e përhapur në sektorin kriminal dhe përbën një pengesë të madhe për hetimet. Për të penguar sistemin, hetuesit e policisë gjyqësore u desh të vendosnin mjete të përparuara teknike dhe të mobilizonin një kapacitet të konsiderueshëm për analizën e të dhënave.

Korrikun e kaluar, autoritetet franceze dhe holandeze kryen një ndërhyrje të ngjashme, duke synuar rrjetin EncroChat. Trafikimi i drogës, atentate, pastrim parash, zhvatje, rrëmbime… Operacioni bëri të mundur përgjimin dhe deshifrimin në kohë reale, pa dijeninë e tyre, të më shumë se 100 milion mesazheve të shkëmbyera në të gjithë botën. “Është sikur të jemi në tryezën ku kriminelët flasin, jetojnë”- përmblidhte shefi i policisë hollandeze.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *