Ka shkuar në gjashtë numri i personave të arrestuar në Shqipëri, në kuadër të operacionit ndërkombëtar antidrogë të koduar “Tibus”.
Sipas policisë në pranga ka rënë shtetasi 30-vjeçar Andi Veshaj, i cili do të ekstradohet në Itali.
“Në vijim të operacionit ‘TIBUS’, në Vlorë, është kapur nga FAST Albania, FNSH, strukturat e DVP Vlorë dhe Interpol Tirana, një shtetas tjetër, i cili u arrestua me qëllim ekstradimi drejt Italisë, konkretisht:
- V., 30 vjeç, banues në Vlorë, Shqipëri.
Arrestimi i tij u bë pasi edhe ky shtetas, ashtu si 5 shtetasit e tjerë të arrestuar mëngjesin e djeshëm, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, pasi Gjykata e Romës, Itali, ka lëshuar urdhër-arrestin për kryerjen e veprës penale ‘Organizatë kriminale me qëllim trafikun e narkotikëve’.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.”- thuhet në njoftimin e Policisë.
Një ditë më parë u arrestuan pesë persona: Albano Juzaj, 25 vjeç, Dionis Moskaj, 23 vjeç, Ersild Nelaj, 27 vjeç, Rezart Elmazaj, 31 vjeç dhe Zeqir Aliaj, 25 vjeç, të gjithë banues në Vlorë.
Këta persona dyshohen se nga data 01.06.2018 deri më 21.01.2019, kanë marrë pjesë në role të ndryshme në një organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria në drejtim të Italisë dhe vendeve të tjera të Evropës.