Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo, ka theksuar sot se pas 8 vitesh ngecje të vendit nën kryeministrin Edi Rama ka ardhur koha për ndryshim.
Në një deklaratë për shtyp nga selia blu, Garo theksoi se kreu i qeverisë nuk mund të bëjë më gjë edhe nëse merr katër vite të tjera pasi nuk ka mbajtur premtimet e bëra gjatë qeverisjes së deritanishme.
Ajo tha gjithashtu se Lulzim Basha kryeministër do sjellë ndryshimin që i duhet vendit dhe që presin shqiptarët.
“Pas 8 vitesh dështim, pas 8 vitesh ngecje të Shqipërisë me Edi Ramën, të gjithë shqiptarët e dinë tashmë nuk ka rëndësi se kush është në listat e Edi Ramës dhe kush është nën to. Ajo që ka rëndësi është se Edi Rama është problemi i Shqipërisë dhe pa largimin e tij nuk mundet të ketë ndryshim. Atë që nuk e bëri për 8 vite me radhë nuk mund ta bëjë edhe nëse merr 4 vite të tjera. Vendi ynë ka nevojë për ndryshim. Kur vende të ngjashme me ne patën sukses, Shqipëria dështoi pikërisht sepse kishte ngecur me Edi Ramën. Është koha për një ndryshim. Lulzim Basha mundet ta bëjë këtë ndryshim.” – tha Garo.
Zëdhënësja e PD-së shtoi më tej se kryeministri Basha dhe lista e PD-së do sjellin shpresën në vend në të gjitha fushat ku Edi Rama ka dështuar në 8 vitet e qeverisjes së tij.
“Lulzim Basha do punojë ditë e natë për ju, të ndryshojë Shqipërinë, të ndryshojë jetët tuaja. Lista e PD-së është lista e ndryshimit, shpresës, e njerëzve që erdhën të punojnë për ju. Kur nuk ke çfarë t’i ofrosh publikut shqiptar, kjo është ajo që mundet të bësh. Ne do sjellim ndryshimin për Shqipërinë. Shpresë për të gjithë dhe plane pune serioze për çdo fushë ku Rama ka dështuar. Për 8 vite me radhë. Ekonomi, shëndetësi, emigracion, infrastrukturë. Së bashku ne do sjellim ndryshimin dhe Shqipëria do fitojë.” – mbylli deklaratën Garo.