Ngjarja e ndodhur ditën e sotme në Maminas ka çuar në arrestimin e një 27-vjeçari i cili dyshohet se qëlloi me armë zjarri në drejtim të mjetit tip Benz.
Në pranga u vu shtetasi me iniciale A.D me dyshimet se ka qëlluar në drejtim të mjetit me drejtues shtetasin A.D 38 vjeç.
Nga ngjarja nuk pati asnjë të plagosur ndërsa është shpallur në kërkim edhe shtetasi B.D që dyshohet si bashkëpunëtor i 27-vjeçar.
Njoftimi i plotë:
Zbardhet dhe dokumentohet në kohë rekord ngjarja e ndodhur mesditën e sotme në Maminas.
Arrestohet në flagrancë 27-vjeçari që dyshohet se qëlloi me armë zjarri në drejtim të një mjeti, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Mesditën e sotme, në Maminas, Shijak, pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A. D., 27 vjeç, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit tip “Benz” me drejtues shtetasin A. D., 38 vjeç. Nga të shtënat nuk ka patur asnjë person të lënduar.
Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë rrethuar zonën dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e shtetasit A. D. në ambientet e Policisë.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. D., 27 vjeç banues në Maminas, Durrës, si dhe u bë shpallja në kërkim policor e bashkëpunëtorit të tij, shtetasit B. D., 28 vjeç (kushërinj me njëri-tjetrin), për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Vrasja e mbetur në tentativë” kryer në bashkëpunim.
Shërbimet e Policisë vijojnë krehjen e zonës për gjetjen dhe administrimin si provë materiale të armës së zjarrit me të cilën dyshohet se ky shtetas ka qëlluar në drejtim të mjetit.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.