Arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Italisë, një shtetas shqiptar i dënuar nga autoritetet italiane. Bëhet fjalë për një 46-vjeçar nga Elbasani, Eduart Haxhi i cili akuzohet për prostitucion në shtetin fqinj.
Ai njihet edhe me një emër tjetër, Artan Haxhi.
“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme ‘Operacionale’ në Drejtorinë Vendore e Policisë Elbasan dhe Interpol Tirana, pas një pune të mirorganizuar, lokalizuan, kapën dhe arrestuan përkohësisht, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, shtetasin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar:
Eduart (Artan) Haxhi, 46 vjeç, banues në Elbasan.”- thuhet në njoftimin e policisë.
Kapja dhe ndalimi i 46-vjeçarit u bë pasi Gjykata e Apelit Torino, Itali, në datën 04.03.2008, e ka dënuar atë me 10 vjet e 4 muaj burgim, për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Shtyrje për prostitucion në rrethana rënduese”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Tani ai pritet të ekstradohet drejt Italisë.