Ish-Presidenti amerikan Donald Trump ka nxitur mbështetësit e tij që të vaksinohen kundër Covid-19, duke thënë se ai do ta rekomandonte atë. Ai ishte i vetmi nga ish-presidentët e gjallë amerikanë, që nuk mori pjesë në një videomesazh për procesin e vaksinimit.
Barack Obama, George W. Bush, Bill Clinton dhe Jimmy Carter, të gjithë u kërkuan qytetarëve amerikanë të vaksinoheshin. Trump është i vetmi ndër ish-presidentët që ka qëndruar kryesisht i qetë për këtë temë.
Në një intervistë televizive, Trump tha se vaksina ishte “e sigurt” dhe “diçka që funksionon”.
Baza konservatore e Trumpit ka qenë një nga grupet kryesore rezistente ndaj programit të vaksinave.
Vetë ish-presidenti u kritikua gjatë kohës që ishte në detyrë se nuk kishte patur seriozitetin e duhur në trajtimin e pandemisë.
Trump dhe gruaja e tij, Melania, u vaksinuan në Shtëpinë e Bardhë në fshehtësi në muajin Janar, para largimit nga detyra.
“Unë do ta rekomandoja atë.”– tha Trump gjatë një interviste në “Fox News Primetime” të martën, citon BBC. “Unë do t’ua rekomandoja atë shumë njerëzve që nuk duan ta marrin dhe shumë prej atyre njerëzve votuan për mua, sinqerisht.”
Ai shtoi: “Është një vaksinë e shkëlqyeshme, është një vaksinë e sigurt dhe është diçka që funksionon”.