Vendosni fjalën kyçe....

Rushaj jep alarmin: Ndotja e ajrit në Tiranë tre herë mbi normën, shkak kantieret e pafundme të ndërtimit


Kandidati i PD-së në Tiranë, Alfred Rushaj, ka denoncuar sot Bashkinë e Tiranës për ndotjen e ajrit me të cilët përballen kryeqytetasit.

Ai bëri matjen e ndotjes së ajrit prane tregut të Medresesë me një pajisje profesionale dhe pas dhënave të aparatit tha se në Tiranë qytetarët duhet të mbajnë maskë për ndotjen e jo për Covidin.

“Duke nisur nga disa shqetësime të qytetarëve për cilësinë e ajrit në Tiranë erdhëm sot me një pajisje profesionale edhe në një ditë që nuk ka trafik, që ka pasur shi dhe kur teorikisht cilësia e ajrit duhet të jetë më e mirë se çdo ditë tjetër. Është mesditë dhe pajisja që mat ajrin është profesionale dhe e certifikuar sipas normave të BE-së. Cilësia e ajrit është kjo që tregon pajisja, grimcat e ajrit janë thuajse tre herë më të larta sesa e lejon norma në BE. Të nderuar qytetarë këtu duhet vendosur maskë jo për Covidin por për të shpëtuar mushkëritë tuaja nga grimcat e ajrit.” – tha Rushaj.

Ai shtoi më tej se shkaku kryesor për ndotjen e ajrit në Tiranë janë kantieret e pafundme të ndërtimit ndërsa taksat e qytetarëve kanë shkuar kot.

Rushaj theksoi se situata është e rëndë dhe se duhet ndërhyrje e menjëhershme për të përmirësuar këtë gjë.

“Është një situatë e papranueshme që vjen kryesisht nga ndotjet që makinat prodhojnë po në mënyrë të veçantë edhe nga kantieret e pafundme të ndërtimit që janë të hapura gjithandej. Bashkia Tiranë me paratë që mbledh nga taksat ka bërë një studim sesi duhet të ridrejtohen makinat në mënyre që të ulet trafiku e çfarë masash duhet të marrë që cilësia e ajrit të mos jetë kjo. Si duket taksat tona kanë vajtur kot, kanë zënë myk në sirtarët e bashkisë Tiranë. Situata është e tillë që kërkon një reagim të shpejtë e të vendosur të autoriteteve.” – tha përgfaqësuesi i PD-së.

Në fund Rushaj premtoi se qeveria e re do marrë masa të shpejta për përmirësimin e cilësisë së ajrit në kryeqytet duke ulur numrin e kantiereve të ndërtimit.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë për ndryshimin më 25 prill.

“Sapo të vijmë në qeverisje do marrim masa që kantieret e pafund të ndërtimit të reduktohen që cilësia e ajrit të jetë e pranueshme për qytetarët e të mos jetë e dëmshme. 25% e vdekjeve në Shqipëri sipas të dhënave nga OBSH-ja ndodhin për shkak të ndotjes së ajrit. Kjo situatë duhet të marrë fund njëherë e mirë dhe ne kemi mundësi që me datë 25 prill të bëjmë ndryshimin.” – shtoi Rushaj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *