Lulzim Basha u është përgjigjur sot akuzave të rivalëve të tij politike, se në listat e PD-së ka kandidatë të lidhur me krimin.
Por Basha i hedh poshtë këto akuza duke thënë se PD është hartuese e ligjit të dekriminalizimit dhe sipas tij është “hipokrizi e madhe të presësh moralizim nga një forcë politike dhe nga një njeri që kriminalizoi forcën e tij politike”, duke iu referuar kryeministrit Edi Rama dhe PS-së.
Ai tha madje se ai ka hequr disa persona nga listat për shkak të historive të tyre të së kaluarës.
“Shiko, duhet të jemi fare të qartë, Partia Demokratike është hartuesja e ligjit për dekriminalizimin. Unë personalisht kam zhvendosur nga listat tona persona për shkak të indicieve në të kaluarën dhe do ta bëj këtë sa herë që të jetë e nevojshme dhe kjo është arsyeja se pse rast pas rasti kam kërkuar unë vetë verifikim nga autoritetet.
Pra, është hipokrizi e madhe të presësh moralizim nga një forcë politike dhe nga një njeri që kriminalizoi forcën e tij politike. Sot, problemi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve është kriminalizimi që Edi Rama i ka bërë pushtetit dhe forcës së tij politike. Fakti që poshtë një boje të hollë emrash kryesisht anonim vazhdojmë të kemi persona me rekorde kriminale, aleatë dhe anëtarë të listës së Partisë Socialiste. Në Durrës, vetëm në Durrës tre emra përfaqësues të bandave të Durrësit. Në Elbasan po kështu e kudo ju e patë në ditën e verës që j’ua prishi qytetarëve të Elbasanit sepse ndonëse kontrollon gjithçka e ndjen humben që e pret dhe mendon se mund të fshihet apo mund të trimërohet vetëm në praninë e bandave, e ka shumë gabim. Qeverisja jonë do të jetë një qeveri e njerëzve me integritet, një qeveri e njerëzve që do të përkushtohen vetëm për t’ju shërbyer qytetarëve të tyre.”– deklaroi Basha.
Kryedemokrati shtoi se sot problemi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve është kriminalizimi që sipas tij kryeministri Rama i ka bërë pushtetit dhe forcës së tij politike.
“Tani është fare e qartë se për shkak të aleancës së Edi Ramës me krimin ligji i dekriminalizimit nuk po funksionon dhe ju e dini fare mirë që ai refuzoi edhe vetingun e politikanëve. Garancia që shqiptarët kanë është që me votën e tyre me 25 prill do të votojnë për një kryeministër dhe për një qeveri që do të bëjë vetingun e politikanëve dhe do të zbatojë ligjin për dekriminalizimin. Pa e luftuar korrupsionin, pa ndarë politikën nga krimi, Shqipëria nuk mund të ecë përpara. Nuk mund të ketë fytyrë njerëzore as kryeministri i ardhshëm, as qeveria e ardhshme nëse është peng i krimit. Prandaj është e domosdoshme të ndahemi nga Edi Rama dhe nga aleanca e tij me krimin, të votojmë për ndryshimin dhe pa diskutim Partia Demokratike dhe unë qëndrojmë garant për të bërë realitet zotimet tona dhe propozimet tona duke përfshirë vetingun e politikanëve në mënyrë që t’ia kthejmë politikën njerëzve, të kthejmë një politikë me fytyrë njerëzorë e cila ka preokupim kryesor t’ju shërbejë njerëzve dhe jo ta shkatërrojë e ta zhvat vendin siç ka ndodhur në këto 8 vite.”- u shpreh ai.