Vendosni fjalën kyçe....

Historia si ish-shkencëtari i Pfizerit u kthye në një “hero” kundër vaksinës


 

Michael Yeadon

Michael Yeadon (shkurt Majk) ishte një studiues shkencor dhe zv.president në gjigantin farmaceutik “Pfizer Inc”. Ai bashkë-themeloi një kompani farmaceutike, e pastaj karriera e tij mori një kthesë të papritur.

Në fund të vitit të kaluar, shkencëtari britanik bashkë me të tjerë nisi një peticion për rregullatorin e ilaçeve të Evropës. Kërkesa ishte e guximshme: “Ndalni provat klinike të vaksinës kundër COVID-19.”

Argumenti i tyre ishte edhe më i guximshëm. Sipas “Reuters” ata spekuluan, pa siguruar prova, se vaksinat mund të shkaktonin infertilitet tek gratë.

Dokumenti u shfaq në një faqe interneti gjermane më 1 dhjetor. Por shkencëtarët e tjerë e kundërshtuan teorinë e tyre. Rregullatorët gjithashtu nuk u lëkundën pasi disa javë më vonë, Agjencia Evropiane e Barnave miratoi vaksinën e parë në Bashkimin Evropian kundër COVID-19, atë të kompanisë “Pfizer” dhe “BionTech”. Por dëmi ishte bërë tashmë.

Mediat sociale përhapën shpejt pretendime të ekzagjeruara se vaksinat kundër COVID-19 shkaktojnë infertilitet tek gratë. Brenda disa javësh, mjekët dhe infermierët në Britani filluan të raportonin se gratë e shqetësuara po i pyesnin nëse kjo ishte e vërtetë, sipas Kolegjit Mbretëror të Obstetërve dhe Gjinekologëve. Në janar, një sondazh nga Fondacioni Kaiser Family (KFF), një organizatë jofitimprurëse, zbuloi se 13% e njerëzve të pavaksinuar në Shtetet e Bashkuara kishin dëgjuar se “vaksinat kundër COVID-19 janë treguar se shkaktojnë infertilitet”.

Ajo që i dha besueshmëri pretendimit ishte se një nga bashkë-autorët e peticionit, Michael Yeadon, nuk ishte ndonjë shkencëtar çfarëdo. 60-vjeçari është një nga ish-zv.presidentët e “Pfizer”-it, ku ai kaloi 16 vjet si një studiues i alergjive dhe problemeve të frymëmarrjes. Ai më vonë bashkë-themeloi një firmë bioteknike që prodhuesi i barnave zvicerane “Novartis” do ta blinte për të paktën 325 milionë dollarë.

Vaksina e Pfizer dhe BioNTech kundër Covidit ishte e para që u autorizua për përdorim në Bashkimin Evropian

Në muajt e fundit, Yeadon është shfaqur si një hero i njerëzve që kundërshtojnë vaksinat, adhuruesit e të cilit vënë në dyshim sigurinë e shumë vaksinave, përfshirë atë kundër koronavirusit. Lëvizja anti-vaksinave ka amplifikuar pikëpamjet skeptike të Yeadon rreth vaksinave dhe testeve kundër COVID-19, bllokimet e vendosura nga qeveritë dhe kurbën e pandemisë.

Yeadon ka thënë se ai personalisht nuk kundërshton përdorimin e të gjitha vaksinave. Por shumë ekspertë shëndetësorë dhe zyrtarë të qeverisë shqetësohen se mendimet e tij hezituese ndaj vaksinës, bashkë me ngurrimin ose refuzimin e qytetarëve për t’u vaksinuar – mund të zgjatin pandeminë. COVID-19 tashmë ka vrarë më shumë se 2.6 milionë njerëz në të gjithë botën.

“Këto pretendime janë false, të rrezikshme dhe thellësisht të papërgjegjshme.”– tha një zëdhënës i Departamentit të Shëndetit dhe Kujdesit Social të Britanisë, kur u pyet për pikëpamjet e Yeadon.

“Vaksinat kundër COVID-19 janë mënyra më e mirë për të mbrojtur njerëzit nga koronavirusi dhe do të shpëtojnë mijëra jetë.”

Raportet e fundit të mpiksjes së gjakut dhe gjakderdhjes jonormale tek një numër i vogël i marrësve të vaksinës kundër COVID-19 të AstraZenecës, kanë hedhur dyshime mbi sigurinë e kësaj vaksine, duke bërë që disa vende evropiane të ndërpresin përdorimin e saj. Zhvillimet ka të ngjarë të ushqejnë më tej hezitimin ndaj vaksinave, megjithëse nuk ka prova të një lidhjeje shkak-pasojë midis produktit të AstraZenecës dhe simptomave të pacientëve të vaksinuar.

Shkencëtari Yeadon nuk iu përgjigj kërkesave për koment për këtë artikull. Në raportimin e kësaj historie, Reuters shqyrtoi mijëra postime të tij gjatë dy viteve të fundit, së bashku me shkrime dhe deklarata të tjera. Po ashtu gazetarët e Reuters intervistuan pesë persona që e njohin atë, katër prej të cilëve janë ish-kolegë të tij në “Pfizer”.

Një zëdhënës i “Pfizer”-it nuk pranoi të komentonte mbi Yeadon dhe qëndrimin e tij ndaj kompanisë.

Robert F. Kennedy Jr., u bllokua kohët e fundit në Instagram për shkak të postimeve të tij mbi vaksinën kundër COVID-19

Referencat për peticionin e Yeadon shfaqen në faqen e internetit të një grupi të themeluar nga skeptiku i vaksinave Robert F. Kennedy Jr, nga një prej dinastive politike amerikane, i cili kohët e fundit u ndalua në Instagram për shkak të postimeve të tij mbi vaksinat kundër COVID-19.

Shkrimtarja dhe skeptikja e vaksinave, Michelle Malkin raportoi shqetësimin e Yeadon-it mbi pjellorinë në një kolonë muajin e kaluar me titullin: “Gra shtatzëna: Kini kujdes nga vaksinat kundër COVID-it”. Ajo bëri dhe një blog me një titull alarmues: “Shefi i Kërkimit të Pfizer-it: Vaksina kundër Covidit sjell infertilitet tek femrat”, një shkrim që u shpërnda me mijëra herë në Facebook.

Pikëpamjet e Yeadon, mund të shihen në mediat sociale në gjuhë të ndryshme: gjermanisht, portugalisht, gjuhën çeke, etj.

Një postim në Facebook i muajt nëntor, mbart një video në të cilën Yeadon pohoi se pandemia “rrënjësisht … ka mbaruar”. Postimi është parë më shumë se një milion herë.

Në tetor, Yeadon kishte shkruar një kolonë për tabloidin britanik “Daily Mail”, një nga faqet e lajmeve më të vizituara në botë. Ai deklaron në këtë shkrim se vdekjet e shkaktuara nga COVID-19, që në Britani kishin arritur në rreth 45 mijë, së shpejti do të “bien” dhe britanikët “duhet të lejohen menjëherë të rifillojnë jetën normale”. Që nga ajo kohë, sëmundja ka vrarë rreth 80 mijë njerëz të tjerë në Mbretërinë e Bashkuar.

Yeadon nuk është i vetmi shkencëtar i respektuar që ka sfiduar konsensusin shkencor për COVID-19 dhe ka shprehur pikëpamje të diskutueshme.

Michael Levvit

Michael Levitt, një fitues i “Çmimit Nobel” në kimi, tha verën e kaluar se ai priste që pandemia të mbaronte në Shtetet e Bashkuara në vitin 2020 dhe të vriste jo më shumë se 175 mijë amerikanë – një e treta e totalit aktual. Ai shprehej: “kur ne të shohim prapa, do të themi se nuk ishte një sëmundje aq e tmerrshme.”

Dhe Luc Montagnier, një tjetër fitues i “Çmimit Nobel”, tha vitin e kaluar se ai besonte se koronavirusi ishte krijuar në një laborator kinez. Shumë ekspertë e dyshojnë në këtë, por deri më tani nuk ka asnjë mënyrë për ta provuar e as hedhur poshtë atë.

Luc Montagnier

Levitt i tha “Reuters” se parashikimet e tij rreth pandemisë në Shtetet e Bashkuara ishin të gabuara, por ai ende beson se COVID-19 në fund nuk do të shihet si “një sëmundje e tmerrshme” dhe se bllokimet “shkaktuan një dëm të madh kolateral dhe mund të mos kenë qenë të nevojshme.” Montagnier nga ana tjetër nuk iu përgjigj kërkesës për të bërë një koment.

Ajo që i jep Yeadon-it kredibilitet të veçantë është fakti që ai ka punuar për kompaninë “Pfizer”, thotë Imran Ahmed, shefi ekzekutiv i Qendrës për Luftimin e Urrejtjes Dixhitale, një organizatë që lufton dezinformatat në internet. “Sfondi i Yeadon u jep mesazheve të tij të rrezikshme dhe të dëmshme një besueshmëri të rreme.”– shprehet ai.

Në një debat vjeshtën e kaluar në Dhomën e Ulët të Parlamentit britanik rreth reagimit të qeverisë ndaj pandemisë, parlamentari Richard Drax e quajti Yeadon një shkencëtar “të shquar” dhe citoi pikëpamjen e tij “se virusi është i kontrollueshëm dhe po i afrohet fundit”. Drax nuk iu përgjigj një kërkese të “Reuters” për koment.

Kohët e fundit David Kurten, një anëtar i Asamblesë së Londrës shkroi në “Twitter” se ekziston një “rrezik i vërtetë” që vaksinat COVID-19 mund t’i lënë gratë jopjellore. Ai shkruante se “kura” nuk duhet të jetë më e keqe se “sëmundja“. As ai nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Pse Yeadon u shndërrua nga shkencëtar i zakonshëm në skeptik të vaksinave kundër COVID-19 mbetet një mister. Mijëra postime të tij përgjatë këtyre muajve ofrojnë disa të dhëna për të shpjeguar qëndrimin e tij radikal.

Disa ish-kolegë të Pfizer-it thonë se nuk e njohin më “Majkun që njihnin dikur”. Ata e përshkruanin atë si një njeri të ditur dhe inteligjent, i cili gjithmonë këmbëngulte për të parë provat dhe në përgjithësi e shmangte publicitetin.

Një nga ata ish-kolegë është Sterghios A. Moschos, i cili ka një diplomë në biologjinë molekulare dhe farmaceutikë. Në dhjetor, Yeadon bëri një postim ku u kërkonte njerëzve të braktisnin maskat. Moschos reagoi në Twitter: “Çfarë dreqin Majk?! A ke dalë për të vrarë njerëzit në mënyrë aktive? Ti e kupton se nëse gabon, sugjerimet e tua do të rezultojnë me vdekje?”

Një shkëmbim komentesh mes Michael Yeadon dhe një ish-kolegut të tij nga Pfizeri në dhjetor

“Gjithçka do të kalojë”

Yeadon hapi për herë të parë një llogari në “Twitter” në tetor të vitit 2018 dhe shumë shpejt u bë një përdorues aktiv i platformës. Mijëra postimet e tij të rishikuara nga “Reuters” u siguruan nga archive.org, e cila ruan faqet në internet, me analizën e tyre të ndjekësve.

Kur pandemia e koronavirusit arriti në Mbretërinë e Bashkuar në Mars të vitit 2020, Yeadon fillimisht shprehu mbështetjen për zhvillimin e një vaksine. Ai shkroi në Twitter: “Covid 19 nuk po zhduket. Derisa të kemi një imunitet të tufës ose vaksinës, gjithçka që mund të bëjmë është të ngadalësojmë përhapjen e tij “. Një javë më vonë ai shkroi në Twitter: “Një vaksinë mund të jetë gati në fund të vitit 2021, nëse jemi vërtet me fat.”

Kur një përdorues tjetër i “Twitter”-it tha se vaksinat i dëmtojnë njerëzit, Yeadon u përgjigj: “Në rregull, ju lutemi ta refuzoni, por mos i pengoni ata që dëshirojnë ta marrin atë, faleminderit.”

Por që në prill, Yeadon ka filluar të shprehë pikëpamje të tjera.

Ndërsa Britania ishte ende në bllokimin e parë pranverën e kaluar, shkencëtari deklaroi: “nuk ka asgjë veçanërisht virulente dhe të frikshme në lidhje me covid 19… do të kalojë… Vetëm një virus i zakonshëm ndaj të cilit bota reagoi tepër.”

Dhe ai parashikoi në një postim të mëvonshëm se ishte  e “vështirë” që numri i të vdekurve në Mbretërinë e Bashkuar të arrinte në 40 mijë.

Deri në shtator të vitit 2020, deklaratat e Yeadon po tërhiqnin vëmendjen përtej Twitter-it. Në atë kohë, një lëvizje ishte shfaqur në Britani kundër bllokimeve dhe kufizimeve të tjera që synonin të frenonin sëmundjen. Ai ishte bashkëautor i një artikulli të gjatë në një faqe në internet të quajtur “Lockdown Skeptics”. Ai deklaroi se “Nuk ka asnjë parim biologjik që na çon të presim një valë të dytë”. Britania së shpejti hyri në një valë të dytë shumë më vdekjeprurëse.

Më 16 tetor, ai shkroi një artikull tjetër të gjatë për të njëjtën faqe në internet: “Nuk ka absolutisht nevojë për vaksina për të shuar pandeminë. Unë kurrë nuk kam dëgjuar marrëzi të tilla të fliten për vaksinat. Ju nuk vaksinoni njerëz që nuk janë të rrezikuar nga një sëmundje.”

Në nëntor, Yeadon u shfaq në një video 32-minutëshe për grupin kundër karantinës, me diçiturën “Pandemia ka mbaruar”.

Yeadon bëri thirrje për t’i dhënë fund testimeve masive dhe pretendoi se 30% e popullsisë ishte tashmë imune ndaj COVID-19 që para se të fillonte pandemia. Në kohën e regjistrimit, ai tha se kishte pak mundësi ​​që virusi të përhapet më tej në Mbretërinë e Bashkuar sepse shumica e njerëzve kishin qenë tashmë të infektuar ose ishin imunë.

Këto pikëpamje bien ndesh me gjetjet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në dhjetor – nëntë muaj pasi deklaroi shpërthimin e pandemisë – agjencia tha se testimi sugjeronte se më pak se 10% e popullsisë së botës kishin treguar prova të infeksionit.

Peticioni i Yeadon drejtuar Agjencisë Evropiane të Barnave për të ndaluar testimet e vaksinave pasoi më 1 dhjetor. Agjencia nuk iu përgjigj kërkesave për komente për këtë artikull.

Në fund të vitit 2020, Michael Yeadon ishte bashkëautor i një peticioni në Agjencinë Evropiane të Barnave, për të ndaluar testimet e vaksinave kundër COVID-19. Në foto, selia e agjencisë në Amsterdam.

Është e pamundur të matet ndikimi i pretendimit të Yeadon se vaksinat kundër COVID-19 mund të shkaktojnë infertilitet tek gratë. Sidoqoftë, në mënyrë anekdotale, shumë gra e kanë besuar atë.

Bonnie Jacobson, një kameriere në Brooklyn, në New York, tha se nuk mund të kujtojë se ku e ka dëgjuar për herë të parë çështjen e pjellorisë. Por ajo i tha “Reuters” se ka hezituar të marrë vaksinën, pasi ajo do të donte të kishte fëmijë “herët ose vonë”.

“Ky është shqetësimi im kryesor.”– tha ajo. “Le të dalin më shumë kërkime.” Pasi refuzoi së fundmi të vaksinohej, ajo tha se taverna ku punonte e pushoi nga puna. Punëdhënësi i Jacobson nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

“Një shkencëtar i mirë” por “jo ai që kam njohur më parë”

Sipas profilit të Yeadon në LinkedIn, ai u bashkua me Pfizer-in në vitin 1995; kompania kishte një operacion të madh atëherë në Anglinë jugore. Ai u rrit në detyrë për t’u bërë zv.president dhe shef i kërkimebe mbi alergjinë dhe frymëmarrjen.

Shumë ish-kolegë thonë se janë të habitur nga transformimi i tij.

Mark Treherne, kujton kohën e tij me Yeadon në Pfizer për rreth dy vjet: “Ai gjithmonë dukej i ditur, i kuptueshëm, një shkencëtar i mirë. Të dy ishim të trajnuar si farmakologë… kështu që kishim diçka të përbashkët ”. Nganjëherë ai pinte kafe me të.

“Unë padyshim që nuk jam dakord me Majkun dhe pikëpamjet e tij të fundit.”- tha ai. Kompania e Treherne po studion inflamacionin e trurit, i cili sipas tij mund të shkaktohet nga koronavirusët. “Ai nuk tingëllon si djali që kam njohur 20 vjet më parë.”

 

Një tjetër ish-koleg tha se ai e konsideronte atë një mentor në kohën kur ata punuan së bashku nga viti nga 2008 në 2011. Kohët e fundit, Moschos ka qenë duke studjuar nëse është e mundur të testohet për COVID-19 me mostra të frymëmarrje. Ai tha se pikëpamjet e Yeadon janë “një zhgënjim i madh”. Ai rrëfeu se e kishte dëgjuar Yeadon në një intervistë në radio vitin e kaluar.

“Kishte një ton në zërin e tij që nuk ngjante me atë si unë e mbaja mend ndonjëherë Majkun.”– tha Moschos. “Ishte shumë i zemëruar, shumë i hidhur”.

John LaMattina, një ish-president i Pfizer-it gjithashtu e njihte Yeadon. “Grupi i tij ishte shumë i suksesshëm dhe zbuloi një numër përbërësish që hynë në zhvillimin e hershëm klinik.”– i tha LaMattina Reuters-it në një email. LaMattina tha se ai i kishte humbur lidhjet me Yeadon në vitet e fundit. “Të gjitha këto janë lajme për mua dhe janë pak tronditëse. Kjo duket krejt jashtë karakterit të personit që kam njohur.”- shton ai.

Postimi i Michael Yeadon në maj të vitit 2020, ku shprehej se s’do kishte një valë të dytë të COVID-19

Pasi humbi punën e tij në Pfizer në vitin 2011, Yeadon krijoi një kompani bioteknike të quajtur Ziarco me tre ish-kolegë të Pfizer-it. Ata dëshironin të vazhdonin hulumtimin e terapive premtuese për alergjitë dhe sëmundjet inflamatore, ide që Pfizer po i zhvillonte por rrezikonin të braktiseshin. Yeadon shërbeu si shefi ekzekutiv i Ziarco.

Në vitin 2012, Ziarco njoftoi se fillimisht kishte siguruar fonde nga disa investitorë, duke përfshirë pjesën e kapitalit sipërmarrës të Pfizer-it. Më vonë u bashkuan investitorë të tjerë.

“Intensiteti i përpjekjes më largoi pothuajse plotësisht nga familja ime dhe interesat e tjerë për gati pesë vjet dhe kemi vetëm një jetë.”– tha Yeadon për Forbes.

Yeadon tha se ai është i martuar dhe ka dy vajza të rritura dhe përshkruan se ka kaluar një fëmijëri të vështirë. Ai tha se nëna e tij bëri vetëvrasje kur ai ishte 18 muajsh dhe babai i tij, një mjek, e braktisi kur ai u bë 16 vjeç. Ai tha se ishte shpëtuar nga një punonjës social lokal dhe birësuar nga një familje hebreje. “Dashuria e tyre më ktheu jetën”.- shprehej ai.

Ndërsa punonte për kompaninë Ziarco që bashkëthemeloi, Yeadon gjithashtu punoi si konsulent për disa vjet në dy kompani bioteknike në zonën e Bostonit, Apellis Pharmaceuticals dhe Pulmatrix Inc. Të dy firmat thanë se ai nuk i këshillon më ata. Një zëdhënëse e Apellis tha: “Pikëpamjet e tij nuk pasqyrojnë ato të Apellis.” Ajo nuk dha hollësira.

Pasi humbi punën e tij në Pfizer në vitin 2011, Yeadon krijoi një kompani bioteknike të quajtur Ziarco. Më vonë ia shiti prodhuesit zviceran të ilaçeve Novartis

Puna e madhe në Ziarco dha rezultat. Në janar të vitit 2017, Novartis bleu kompaninë për një pagesë paraprake prej 325 milionë dollarësh, me premtimin për 95 milionë dollarë më shumë nëse do të përmbusheshin disa pika të caktuara. Novartis po vinte bast për një ilaç të njohur si ZPL389, që kishte potencialin të ishte një “trajtim oral i klasit të parë për ekzemën mesatare deri në të rëndë”.

Reuters shkruan se nuk ishte në gjendje të përcaktojë se sa para bëri Yeadon nga blerja e Ziarco-s nga Novartis. Por në janar të vitit 2020 ai shkroi në Twitter:“Çuditërisht, unë bëra miliona nga themelimi dhe rritja e një kompanie bioteknologjike, duke krijuar shumë punë shumë të paguara, duke përdorur doktoraturën dhe bindjen time në të gjithë botën.”

Korrikun e kaluar, Novartis zbuloi se kishte ndërprerë programin e zhvillimit klinik të ilaçit ZPL389 dhe kishte marrë 485 milionë dollarë. Një zëdhënës i Novartis tha se kompania vendosi të përfundojë programin pas të dhënave zhgënjyese të efikasitetit gjatë testimeve klinike të fazës së hershme.

“Unë së shpejti do të iki”

Në fillim të këtij viti, një grup ish-kolegësh të Yeadon-it nga Pfizeri shprehën shqetësimin e tyre në një letër private.

“Ne jemi bërë shumë të vetëdijshëm për pikëpamjet tuaja mbi COVID-19 gjatë muajve të fundit… mendja e vetme, mungesa e provave shkencore dhe interpretimi i njëanshëm i të dhënave shpesh me cilësi të dobët është shumë larg nga Mike Yeadon që ne aq shumë e respektuam dhe me të cilin jemi kënaqur të punojmë me të”. Duke vënë në dukje se sa i ndjekur është ai në rrjetet sociale dhe se sa shumë është përhapur ideja e tij për shkaktimin e infertilitetit tek gratë, grupi shkruajti: “Ne jemi shumë të shqetësuar se ju po rrezikoni shëndetin e njerëzve.”

Reuters nuk mundi dot të përcaktojë nëse Yeadon e mori letrën.

Më 3 shkurt, llogaria e Yeadonit në “Twitter” publikoi një mesazh për 91 mijë ndjekësit e tij: “Një postim u shfaq kohët e fundit nën ID-në time, i cila ishte tmerrësisht fyes. Si rezultat, llogaria ime u kyç. Unë natyrisht e fshiva atë. Unë dua që ju të dini natyrisht që nuk e kam shkruar atë.”

Yeadon nuk e bëri të qartë se për çfarë postimi e kishte fjalën. Por menjëherë pas kësaj, disa përdorues të Twitter-it postuan pamje postimesh sulmuese kundra muslimanëve nga llogaria e Yeadon të rreth një viti më parë.

Të nesërmen, më 4 shkurt, Yeadon përmendi në një postim:“Unë së shpejti do të iki”.

Dy ditë më vonë, llogaria e tij në Twitter u mbyll. Profili i tij në LinkedIn gjithashtu shpejt ndryshoi, duke deklaruar tani se ai është “plotësisht në pension”.

Clare Craig, një patologe britanike, e krahasoi mënyrën se si ishte trajtuar Yeadon në Twitter, me shoqëritë mesjetare që digjnin heretikët në zjarr.

“Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta parë këtë përveç si djegia e shtrigave.”– tha Craig, e cila gjithashtu ka kritikuar bllokimet dhe testet kundra COVID-19. “Shkenca është një seri pyetjesh dhe testimesh që u bëhen atyre pyetjeve dhe kur ne nuk lejohemi t’i bëjmë ato pyetje, atëherë shkenca humbet.”

Ajo tha se kishte folur me Yeadon pasi ai mbylli llogarinë e tij në Twitter dhe shtoi se ai po mendon se si do të kontribuojë në të ardhmen.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Reuters / Përshtati në shqip Hashtag.al

Shkrim grafiti në një dyqan në Belfast, Irlanda e Veriut


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *