Futbolli është më shumë se sa thjesht një lojë dhe këtë e tregon shumë qartë dhe rasti më i fundit me futbollistin polak Robert Lewandowski, i cili luan për Bajernin e Mynihut.
Polonia luan ndaj Hungarisë, Andorrës e Anglisë, tre sfida që mund të përcaktojnë rrugëtimin e saj në Botëror. Por me rregullat strikte të Anglisë të vendosura për shkak të pandemisë, udhëtimi është pothuajse i pamundur dhe për të është dashur ndërhyrja e politikës.
Kancelarja gjermane Angela Merkel thuhet se i ka dhënë personalisht leje sulmuesit për të udhëtuar nga Mynihu në Londër, për ndeshjen midis Anglisë dhe Polonisë.
E sipas portalit “onet”, Kryeministri i Polonisë Mateusz Moraëiecki thuhet se i bëri një telefonatë kancelares, për t’i kërkuar këtë nder asaj, që të bëjë një përjashtim për Lewandowski-n për rregullat e karantinimit.
Me rregullat në fuqi, futbollisti do të ishte i detyruar t’i nënshtrohej karantinës dy javë pas kthimit e kështu do të humbiste si sfidën ndaj Lajpcigut në kampionat, ashtu edhe duelin e parë ndaj PSG-së në Ligën e Kampioneve.
Presidenti i Shoqatës Polake të Futbollit, Zbignieë Boniek, bëri një postim në ‘Twitter’ ku shprehej: “Ne do të shkojmë në Londër me një skuadër të plotë. Unë do të doja të falënderoja të gjithë ata që na kanë ndihmuar. Falënderime të veçanta për Zyrën e Kryeministrit. “
Zëdhënësi i qeverisë Piotr Muller i konfirmoi ato raporte: “Unë konfirmoj që Kryeministri Mateusz Moraëiecki ka kontaktuar personalisht Kancelaren gjermane Angela Merkel për të mundësuar futbollistët tanë të marrin pjesë në ndeshjen e ardhshme.”