Kryetari i P-së Lulzim Basha ka zhvilluar sot një bisedë online me kreun e grupit parlamentar të Partisë Popullore Europiane.
Diskutimi i tyre u fokusua tek fushata zgjedhore në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij, Basha tha se shqetësimet kryesore të shqiptarëve sot janë gjendja e rëndë ekonomike, kostoja e lartë e jetesës, papunësia dhe emigrimi. Por, sipas tij zgjidhja e të gjitha këtyre problemeve është e lidhur ngushtë me integrimin europian të vendit:
“Qytetarët janë të zhgënjyer pas 8 viteve të qeverisë Rama, 8 vite ngecjeje në vendnumëro në procesin e Integrimit Europian dhe duan ndryshim. Por shqiptarët sot e dinë se ndryshimi do të vijë vetëm kur Shqipëria të bëjë progres në procesin e integrimit në BE.
Fatkeqësisht në këto 8 vite, vendi nuk ka bërë progres por madje ka shënuar hapa mbrapa sa i përket nivelit të korrupsionit, luftës kundër krimit të organizuar dhe shtetit ligjor. Prandaj sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, janë parakushte për të ecur përpra në procesin e integrimit, parakushte për të përmirësuar jetën e shqiptarëve dhe për të rritur mirëqenien e tyre.”– tha Basha.
Kryedemokrati theksoi se këto janë edhe fushat ku është fokusuar programi qeverisës i PD-së me plane dhe zgjidhje konkrete sipas tij, që do të mundësojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Këto janë edhe fushat ku është fokusuar programi qeverisës i PD me plane dhe zgjidhje konkrete që do të mundësojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve, hapjen e vendeve të reja të punës, thithjen e investimeve të huaja dhe arsim cilësor dhe trajnim profesional të të rinjëve.”– theksoi Basha.
Nga ana e tij, Weber u shpreh se “është gjithmonë mirë të dëgjojmë se reformat e pëcaktuara nga BE-ja janë garanci për të ardhmen europiane për Shqipërinë”.
Ai theksoi se zgjedhjet e 25 prillit janë “jetike” për të ardhmen europiane dhe integrimin europian të Shqipërisë.