Sindikata e Minatorvë të Bashkuar të Bulqizës ka denoncuar kompaninë Albchrome lidhur me plagosjen e minatorit Edi Beka ditën e sotme në galeritë e kësaj miniere.
Sindikata shkruan se deklarata e policisë nuk përcakton se ku ka ndodhur aksidenti ndërsa Albchrome ka fajësuar minatorin për aksidentin. Sindikata u bën thirrje autoriteteve që të hetojnë ngjarjen deri në fund.
“Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në minierën e Albchrome, ku minatori 31-vjeçar Edi Beka është aksidentuar në galeri dhe është transportuar me helikopter për në Tiranë. Ironikisht, në deklaratën e policisë nuk përcaktohet se në cilën minierë dhe kompani ka ndodhur ky aksident. Ndërsa kompania Albchrome sërish ia hedh fajin minatorit për aksidentin. Që prej 2019, si SMBB kemi luftuar që jeta e punëtorëve të jetë sa më e sigurt, por shfrytëzimi pa kriter i pronarëve dhe heshtja shtetërore po i kthen këto miniera në varre masive. U kërkojmë institucioneve përkatëse të hetojnë ngjarjen deri në fund dhe i urojmë vëllait tonë, minatorit Edi Beka, shërim sa më të shpejtë.” – shkruan sindikata në faqen e saj në Facebook.