Vendosni fjalën kyçe....

Zjarri në qendrën tregtare në Tiranë, ende nuk dihet asgjë për punonjësin e sigurisë


Kur kanë kaluar më shumë se 17 orë nga zjarri që ra pasditen e djeshme në një qendër tregtare në hyrje të Tiranës, ende nuk dihet asgjë për punonjësin e bllokuar brenda në magazinë.

Përgjegjësi i sigurisë Arjan Sala mbetet i bllokuar, ndërsa zjarrfikësit ende punojnë për të shuar flakët. Për shkak të materialeve plastike që po digjen, ka prezencë të madhe tymi dhe toksinash në ajër, që vështirëson ndërhyrjen e zjarrfikësve.

Në një prononcim për Report TV, Shefi i Shërbimit të Zjarrfikëses Shkëlqim Goxhaj ka dhënë detaje lidhur me zjarrin në magazinën te qendra tregtare.

“Kemi një zjarr shumë të rrezikshëm i shkaktuar në një magazinë në ambientet e Casa Italia, zjarri është në bodrum dhe materialet janë këpucë e veshmbathje, prandaj na e bën shumë të vështirë punën për të neutralizuar zjarrin.

Kemi 15 orë që po punojmë me pajisje specifike, më të dhimbshme e bën situatën dhe njoftimi që kemi marrë se një punonjës ndodhet në vatrën e zjarrin, pas 3 orëve të para zjarri është eliminuar, por përbërja e magazinës na e bën të pamundur eliminimin e tymit, kemi angazhuar të gjithë personelin e bashkisë, kemi kërkuar ndihmë dhe nga kërkim-shpëtimi minierave.

Dhe nga bisedat që kemi bërë me pronarët, sipërfaqja është 1000 m2 dhe është e ndarë në disa pjesë, kemi bërë kontrolle në korridor dhe nuk kemi konstatuar trupin, puna është përqendruar te magazina, ambienti ku është magazina është e pamundur që të bëhet  ndërhyrje normale, ndërhyrja ka qenë nga brenda që në herën e parë, punonjësit futen grupe grupe, këto zjarre janë shumë të rrezikshme dhe po të kemi parasysh ngjarjet e kaluara kanë vazhduar për ditë të tëra, për objektin dhe zonën përrreth nuk do jetë i rrezikshëm se flakët janë ulur.”- tha Goxhaj.

“Report Tv” ka publikuar disa pamje nga brenda ambienteve të magazinës, ku siç shihet ka sërish shumë tym.

Zoti Sala nuk u përgjigjet në telefon familjarëve të tyre dhe ishte në punë në momentin e zjarrit. 

Në një prononcim për gazetarët, xhaxhai i tij tha me lot në sy se nipi i tij ishte futur për të shpëtuar personat që ishin brenda, por vetë nuk arriti dot më të dilte.

“Unë jam xhaxhai i djalit që është brenda në magazinë. Djali e ka emrin Arjan Sala. Është shef i rojeve të sigurisë. Ngjarja ka mbi dy orë që ka ndodhur dhe zjarrfikësit kanë ardhur me shumë vonesë. Nuk reagojnë fare. Ai ka shpëtuar punëtorët dhe vetë ka ndalur brenda. Reagimi është i vdekur. Nuk na japin asnjëlloj sqarimi, vetëm të përplasemi me forcat e rëndit. Këtu po lozin me ne. Po erdhi pika zero ne do të futemi vetë brenda.”-shprehej ai.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *