Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e babë e bir në 2012-ën në Elbasan/ Arrestohet Ardian Çapja, në kërkim një tjetër


Arrestohet nga policia e Elbasanit Ardian Çapjan si dhe është shpallur në kërkim Florenc Çapja, dy emra të njohur për botën e krimit në Elbasan. Policia ka gjetur dhe një armë në banesën e Ardian Çapjës.

Dy personat janë të dyshuar për një vrasje të dyfishtë të ndodhur në Elbasan në vitin 2012.

Kjo vjen pas rrëfimit të një të penduari të drejtësisë. Bëhet fjalë për Ervis Bardhin të arrestuar mbi këtë vrasje, i cili ka thënë se dy personat qëndrojnë pas porositjes së këtij krimi dhe ka folur për një takim me Çapjat në Krrabë, para kryerjes së vrasjes së Gentian dhe Nezir Beqirit (babë e bir) në vitin 2012.

Gentian dhe Nezir Beqiri, babë e bir

Emri i Ardian Çapjas përmendej shpesh si një ndër bosët e krimit në Elbasan, por deri më tani nuk kishte asnjë dëshmitar që të fliste kundër tij. Rrëfimi i Bardhit është dëshmia e parë e plotë kundër tij.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Krasta 2021”.

Operacioni i zhvilluar nga RENEA, Drejtoria  Vendore e Policisë Elbasan dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Gjatë operacionit është vënë në pranga një person me precedent të theksuar kriminal, i dyshuar si një nga autorët e një vrasjeje të dyfishtë të ndodhur në vitin 2012.

Sekuestrohet një armë zjarri kallashnikov.

Në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, në bazë të informacioneve të grumbulluara nga strukturat hetimore të DVP Elbasan dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë, mëngjesin e sotëm, gjatë operacionit policor të koduar “Krasta 2021”, u bë ekzekutimi i urdhrit të ndalimit të lëshuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan për shtetasin:

Ardian Çopja alias Çapja, 53 vjeç, banues në Elbasan.

Si dhe u shpall në kërkim shtetasi Florenc Çapja, 40 vjeç, banues në Elbasan.

Ndalimi i 53-vjeçarit dhe shpallja në kërkim e 40-vjeçarit u bë për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Këta shtetas, në vitin 2012, dyshohet se në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë, kanë vrarë me armë zjarri shtetasit Gentian Beqiri dhe Nezir Beqiri (babë e bir).

Gjatë operacionit, në banesën e shtetasit Ardian Çopja, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov.

Vijon puna nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokuroritë përkatëse, për zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale të ndodhura më parë, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e  autorëve.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *