Shkarkohet nga detyra për shkak të problemeve me justifikimin e pasurisë, prokurori i Tiranës, Genci Qana.
Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, prokurori i Tiranës rezultonte me një bilanc negativ me 1.4 milion lekë për periudhën deri në vitin 2003 dhe me mbi 2 milionë lekë nga viti 2003 deri në vitin 2016.
KPK nuk i ka konsideruar të ligjshme një hua prej 5 mijë eurosh si dhe 730 mijë lekë të tërhequra nga llogaritë bankare për blerjen e një makine prej 14 mijë eurosh në vitin 2012.
Përveç pasurisë, për Qanën kishte edhe denoncime për çështjet që ka hetuar, përfshi pushimin e hetimeve për një aksident me vdekje në punë.
Prokurori Qana, karrierën e ka patur të përqëndruar në Tiranë, dikur tek Krimet e rënda dhe më pas në Prokurorinë e Shkallës së Parë në Tiranë.
Qana ka mbajtur postin e zëvëndësdrejtuesit dy herë, dhe një herë postin e drejtuesit, pas shkarkimit të Dritan Rreshkës nga Vettingu.