Rama ka ironizuar Bashën e aleatët e PD-së për zgjedhjet e 25 prillit.
Nga Kavaja, kreu i qeverisë tha se kur dëgjon Berishën e Vasilin, Dash Shehi është pa puthësh në buzë teksa u tregua tejet kritik për shkeljet e masave anti-covid nga ana e PD-së në takimet e saj elektorale.
“Kur dëgjon këta, është që Dash Shehin ta puthësh në buzë. Këta për të na prishur punë, për të na penguar, e rrëzuar, janë të lumtur të shikojnë shqiptarë që vdesin fizikisht nga covidi. Lajmi mirë është që gjyshërit e gjyshet as po i pyesin fare po shkojnë masivisht të vaksinohen. Shqipëria sot ka filluar të buzëqeshë, sepse ne sot kemi marrë armët që e asgjësojnë armikun e padukshëm dhe duan s’duan këta, brenda majit arrijmë të paktën gjysmë milioni të vaksinuar, do e lehtësojmë sezonin turistik, do vaksinojmë stafet e hoteleve dhe do u themi turisteve që hajdeni këtu sepse jeni të mbrojtur.” – tha Rama.
Ai shtoi më tej se më 25 prill shqiptarët do ecin në rrugën që ka nisur dhe se PD-ja, LSI-ja dhe aleatët e saj në zgjedhjet e 25 prillit do marrin Ndoc Rrokun.
“Duan s’duan këta, shqiptarët do ë vijojnë në rrugën që kemi nisur, e s’do e ndërpresim vaksinimin se Luli do të bëhet dhëndër, nuk e ndërpresim rindërtimin, se Mona, Iliri dhe Saliu duan të bëjnë Lulin dhëndër. Këta do të marrin jo pushtetin, do të marrin Ndoc Rrokun me 25 prill. Do e marrin nga shqiptarët nga Veriu në Jug, nga Lindja në Perëndim, kush bën shqiptarët për budallenj, e paguan shumë rëndë faturën.” – shtoi kreu i qeverisë.
Më tej ai ceku aleatët e PD-së në zgjedhje folur me jo pak ironi edhe për kryedemokratin Basha. Rama tha se njerëzit do zgjedhin të votojnë PS-në më 25 prill dhe jo Bashën që fle gjumë.
Kryeministri tha se ndërsa Idrizi i ka sytë e kuq pasi duket sikur sa grekë do vrasë e Dule del me vetullat e ngritura në takime, të dy janë bashkë dhe në aleancë me PD-në në zgjedhjet e ardhshme.
“Ai ia vlen të heqësh lekët nga buka e shtëpisë e Luli të fle gjumë në kryeministri. Nëse e doni kaq shumë, futeni në dyqan, e merreni të flejë aty. Këtu s’është Luli, ata ta puthësh në ballë, sepse buzët ia lamë Dashit për sot. Këtu është Mediu, Saliu, Iliri, Mona, e pastaj, Idrizi, Dulja. I keni parë në TV, del Idrizi me sytë e kuq, ai del sepse fle në gjumë deri në 2, por njerëzit mendojnë se ky do të vrasë kushedi sa grekë. Ndërsa del Dulja me vetullat e ngritura, e janë të dy bashkë, të dy bashkë bëjnë 99. Për Nard Ndokën e kemi hallall, të paktën është filozof.” – u shpreh Rama.