Avokati i Selim Çekajt, Neshat Fana ka dalë në një deklaratë për mediet pas vendimit të gjykatës për të lënë në “arrest me burg” klientin e tij.
Ai e ka quajtur të padrejtë dhe madje edhe të paligjshëm vendimin për 72-vjeçarin.
Sipas tij Selim Çekaj është një njeri i nderuar, një ish-mësues me 100 sëmundje që nuk di as gjuhë të huaj dhe as kompjuter që të mund të lidhej me narkotrafikanët e Amerikës Latine.
“Një vendim i padrejtë dhe haptazi i paligjshëm. Midis Selim Çekajt dhe kompanisë nga Ekuadori ka një kontratë e cila në mënyrë eksplicite shkruan se përgjegjësinë për kontenierin nga Ekuadori deri në magazinë e mban shitësi. E po në një nen tjetër thuhet se pronari ose pritësi i mallit (që është blerësi), ka të drejtë të kontaktojë me kontenierin vetëm në momentin kur futet në magazinë dhe vetëm atëhere ka të drejtë ta hapë për të parë sasinë dhe cilësinë e mallit. Dhe asnjë përgjegjësi tjetër nuk mban. Është e shkruar në kontratë. Absolutisht jo. Nuk ka asnjë provë që ky njeri të jetë marrë me atë porosi.
Plak, njeri i nderuar gjithë jetën, 72-vjeç, mësues ka qenë. Nuk di as anglisht, nuk di as spanjisht, nuk di as kompjuter. Si u lidh ai me trafikantët e Amerikës Latine?! Çfarë pagese bëri?! Me kë njerëz komunikoi? Ndërkohë ai mall ka rreth dy muaj që vërtitet nga Ekuadori, në Marok, në Greqi port më port. Iu kontrollua magazina ndërkohë që në port u deshën pajisje mekanike të sofistikuara për ta hapur atë. Ndërkohë që kur u kontrollua magazina nuk u gjet asnjë vegël që mund ta hapë atë konteiner.
Është një marrëzi, por këta janë gjyqtarë pa dinjitet profesional, pa dinjitet moral. Nuk mund t’i vësh gishtin një plaku të tillë me 100 sëmundje. I dhamë raportet, mbi 12 ilaçe përdor në ditë njeriu. Nuk kanë as humanizëm, lëre që për drejtësi nuk bëhet fjalë fare. Është një vendim skandaloz.”-tha zoti Fana.
Ai flet madje për një skenar të stisur nga mafia ndërkombëtare për t’ia hedhur fajin një kompanie të pambrojtur.
“Jemi të bindur që ky është aktivitet kriminal që luhet diku tjetër. Është piketuar një kompani e pambrojtur mesa duket nga mafia ndërkombëtare për t’i hedhur ushqim shtetit për të kapur një sasi lënde narkotike dhe për t’i hapur rrugën ndoshta sasive të tjera që mund të vijnë nga kompani të tjera, në rrugë tjetër.”- deklaroi avokati.