Partia Demokratike i është përgjigjur kryeministrit Rama pas reagimit të këtij të fundit lidhur me gjobën prej 110 milionë eurosh që Shqipëria duhet t’i paguajë biznesmenit Francesco Becchetti në një vendim të marrë nga gjykata ndërkombëtare.
Rama e quajti kreun e PD-së, Luleparti ndërsa tha së gëzimi i tij lidhur me çështjen në fjalë është i parakohshëm e i neveritshëm.
Selia blu thekson se në ditën kur i duhet të përballet me dështimin e radhës, kryeministri Rama sulmon PD-në e opozitën dhe se është koha për ndryshimin që do ndodhë më 25 prill.
“Edhe në ditën kur i duhet të përballet me dështimin e radhës, Rama nuk bën gjë tjetër vetëm se sulmon PD dhe opozitën. Shqipëria ngeli në baltë me Ramën për 8 vjet, ky është fakt, sikundër mbetet po fakt që shqiptarët duhet të paguajnë 4560 lekë të reja nga xhepi, këtë herë për shkak të arrogancës së Edi Ramës. Është koha për ndryshim, që Shqipëria të ketë një qeverisje të përgjegjshme. Këtë do ta vendosin shqiptarët me votën e tyre në 25 prill. Ditën kur Rama do të humbë dhe Shqipëria do të fitojë.” – thuhet në reagimin e PD-së.