Pas mbledhjes së sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi zhvilloi një bashkëbisedim me gazetarët.
Ai u bëri thirrje partive politike që të zhvillojnë një fushatë elektorale të qetë dhe t’u krijojnë lehtësi votuesve.
Ndërsa pas pyetjeve të gazetarëve, bëri një sqarim se kur fleta e votimit quhet e vlefshme dhe kur e pavlefshme.
“Është e qartë që nuk do të jenë emrat, por numrat në këtë fletë votimi që tregojnë kandidatët të renditur sipas asaj që ka sjellë partia, që do të thotë votuesit duhet të kenë të qartë numrin e kandidatit apo të partisë politike,që duan të zgjedhin.
Vec kësaj, në çdo qendër votimi do të vendosim postera të mëdhenj që tregojnë se çfarë numri ka secili kandidat dhe secila parti, do të ketë edhe fletëpalosje në çdo dhomë të fshehtësisë, nëse do të konfuzohet ta konsultojë edhe një herë informacionin me fletëpalosjen që do të jetë te dhoma e fshehtësisë.
Një votues mund të zgjedhje një parti ose koalicion si dhe vetëm një kandidat, jo dy, të asaj partie apo koalicioni.
Nuk mund të zgjedhë një parti/një koalicion dhe një kandidat të një partie tjetër. Në çdo rast zgjedhja do të jetë brenda partisë.
Votuesi ka të drejtë të zgjedhë vetëm një parti dhe koalicionin, pa bërë asnjë preferencë të kandidatëve. Edhe kjo është e vlefshme.
Është e vlefshme fleta e votimit edhe nëse ti zgjedh vetëm një kandidat, edhe pse nuk e zgjedhur partinë politike. Numërohet si votë për kandidatin, por njëkohësisht edhe si votë për partinë politike apo koalicionin që i përket ky kandidatë.
Nuk mund të zgjedhësh njëkohësisht dy kandidatë si dhe dy parti politike dhe dy koalicione.”- deklaroi Celibashi.