Drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit, Gazment Bardhi u ndal ditën e sotme në një takim me fermerë të Dumresë ku u njoh me shqetësimet e tyre.
Prodhuesit e ullirit dhe vajit ngritën shqetësime për mungesën e tregut të vajit të ullirit dhe subvencioneve.
Bardhi tha se me PD-në në pushtet subvencioni do shkojë te pikat e grumbullimit dhe fabrikat dhe shteti do marrë përsipër daljen në treg.
“Vetëm shitja është problem, prodhimi nuk është problem, pa ndërhyrje të shtetit, tregtarët nuk kanë ku shesin”,- u shpreh një banor.
Gazment Bardhi thotë se është informuar për faktin se malli u rri stok në shtëpi.
“Ai është problemi… Ne nuk kemi kontrata…”,- thotë prodhuesi i vajit.
Bardhi shprehet se problemi ka zgjidhje.
“Shteti duhet të subvencionojë dhe të mbështesë pikat e grumbullimit dhe fabrikat që e prodhojnë vajin dhe e tregtojnë. Shteti e merr përsipër ta tregtojë, sepse fshatari nuk e nxjerr dot vajin për ta çuar në Greqi, në Itali, apo në treg ndërkombëtar, ndërkohë që po të ketë fabrika përpunimi dhe tregtimi që mbështeten dhe financohen nga shteti, me subvencionet që buxheti i shtetit jep për këtë lloj industrie, e konkurron edhe vajin në Itali, edhe në Greqi dhe e nxjerr në treg, bëhet pjesë e tregut ndërkombëtar. Unë isha në Cërrik ku kishin pak a shumë të njëjtin shqetësim. Kishin ndërtuar një fabrikë moderne për përpunimin dhe tregtimin e vajit, i kishte shkuar investimi me mijëra euro, i kishin thënë dhe i kishin premtuar që do merrte mbështetje nga shteti, dhe pastaj mbasi e kishte përfunduar të gjithë fabrikën dhe kishte hyrë në borxh me mijëra euro, i kishin thënë nuk të subvencionojmë sepse nuk i ke pajisjet të blera në Gjermani, por i ke të blera në Itali.
Ndërkohë që ai i kishte marrë më cilësore dhe i kishte paguar më shumë. Pra, kishin futur një kriter atje për ta përjashtuar, pse e kishin përjashtuar? Sepse i kishin kërkuar kafe! Fshatari dhe fermeri do të marrin subvencione bazuar mbi aq sa prodhon. Por, nuk mjafton se këtu ngelet hallka përgjysëm sepse fshatari mund ta marrë subvencionin për atë që prodhon, por i ngelet pa tregtuar. Prandaj do të duhet të vazhdojë zinxhiri i plotë me pikat e grumbullimit që do të duhet të subvencionohen po nga shteti dhe në rastin konkret me pikat e grumbullimit dhe të tregtimit”– tha Bardhi.