Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Mbrëmë një natë pa gjumë, bëmë luftë për të mbajtur vaksinat mos të shkonin në një shtet tjetër


Kryeministri Edi Rama në një deklaratë nga Dropulli ku po zhvillon një takim në kuadër të fushatës zgjedhore, ka folur për bllokimin e aeroportit të Rinasit pas protestës së kontrollorëve.

Ai tha se për shkak të ndodhisë, ka luftuar tërë natën për të mbajtur vaksinat që do vinin dje në vendin tonë, që të mos shkonin në një vend tjetër.

Rama akuzoi presidentin Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Sali Berisha si autorët që qëndrojnë pas ‘pengmarrjes’ së aeroportit.

“Shikoni çfarë ndodhi jo më larg se dje. U bllokua aeroporti i vendit, u bllokua ardhja e vaksinave dje dhe e gjithë nata ka qenë një natë pa gjumë për të luftuar që ta mbanim sasinë e vaksinave që priste aty për të ardhur sepse menjëherë mund të shkonte në një vend tjetër. Nuk është një Pazar ku ti shkon edhe i thua: ‘Ma mbaj mallin se unë po shkoj të bëj një xhiro, ta marr nesër.’

Luftë për të mbajtur sasinë atje që të vinte në Shqipëri dhe të mos shkonte diku tjetër se pastaj do prisnim 1 javë, apo 10 ditë bërjen e porosisë. Një javë ap 10 ditë pa vapsina. Pse?

Sepse Ilir Meta dhe Sali Berisha janë aty mbrapa derës gati për t’u rifutur në shtëpinë e secilit dhe për ta ribërë rrumpallë, nga e para. Janë gati të bëjnë atë që bënë, një sulm çmendurak të organizuar për të kthyer kaosin dhe fantazmën e rrëmujës në Shqipëri duke marrë peng aeroportin, duke bllokuar një aktivitet jetik të vendit, duke ndaluar mijëra shqiptarë që donin të niseshin dje e mijëra të tjerë që donin të vinin dje, duke ndaluar edhe të vdekurit që të vinin të varroseshin këtu, duke ndaluar lëvizjen e parasë sepse nga aeroporti vjen edhe paraja për bankat, duke ndaluar dhe të sëmurët. Unë kam pasur dje shumë mesazhe dhe një mesazh nga një qytetar nga Vlora thoshte: Kam gruan me tumor, jam në aeroport. Kam nesër në mëngjes takimin e radhës me mjekët dhe po humba takimin më duhet të pres një muaj pastaj’. Sepse ka jetuar në Itali. A e kuptoni se çfarë janë në gjendje të bëjnë këta?! Një plan i ndërtuar me ditë, duke menduar se ne do kapeshim gafil e duke pasur parasysh se kontrolli i ajrit është një strukturë e posaçme në të gjithë botën, që nuk zëvendësohen dot kollaj dhe duhet shumë kohë. Duke zgjedhur pikërisht këtë moment, që deri më 25 Prill mos të vaksinohej njeri e këtu të shpërthente një revoltë dëshpërimi. E kuptoni sa pak na ndan nga rikthimi mbrapsht në të shkuarën, që duhet sikur është e shkuar dhe e harruar, për sa kohë janë këta njerëz që nuk lënë dy gurë bashkë për të rimarrë peng vendin, për të rimarrë peng drejtësinë, shtetin dhe për të shkatërruar gjithçka që kemi ndërtuar, si një mallkim që vazhdon.”– tha Rama.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *