Një studim i ri ka zbuluar të dhëna të frikshme, se një në tre persona të sëmurë me Covid-19 që kanë mbijetuar, janë diagnostikuar me një gjendje neurologjike ose psikiatrike për gjashtë muaj që pasi e kishin kaluar atë.
Hulumtimi shqetësues i shtohet një numri në rritje të provave që tregojnë se pasojat e pandemisë së koronavirusit ka të ngjarë të shfaqen në shëndetin mendor të njerëzimit, për shumë vite që do të vijnë.
Gjetjet e studimit u publikuan të mërkurën në revistën Lancet Psychiatry dhe zbulojnë se pacientët me Covid kishin më shumë gjasa të zhvillonin probleme të trurit sesa të mbijetuarit e infeksioneve të tjera të traktit respirator.
Siç shkruan RT, ky është studimi më i madh deri më tani mbi të mbijetuarit e Covidit dhe në kuadër të tij u shqyrtuan të dhënat shëndetësore të më shumë se 230 mijë pacientëve të rikuperuar, duke zbuluar se 34% e tyre u diagnostikuan me një gjendje neurologjike ose psikiatrike brenda gjashtë muajve të shërimit.
Rreth 17% e pacientëve u diagnostikuan me ankth, ndërsa 14% u diagnostikuan me çrregullime të humorit. Për 13% të pacientëve, ishte gjendja e parë e shëndetit mendor me të cilën ata ishin diagnostikuar ndonjëherë.
Ndërkohë, çrregullimet neurologjike përfshinin hemorragji të trurit (në 0.6% të pacientëve), goditje në tru (2.1%) dhe dementia (0.7%), megjithëse këto gjendje u diagnostikuan me një normë më të ulët sesa diagnozat psikiatrike.
Rreziku i çrregullimeve të trurit lidhej me ashpërsinë e infeksionit.
Studiuesit gjithashtu krahasuan gjetjet e tyre kundër të dhënave të ngjashme shëndetësore të pacientëve që ishin shëruar nga gripi ose infeksionet e traktit respirator.
Të mbijetuarit e Covidit kishin një rrezik 44% më të lartë të diagnozave neurologjike dhe të shëndetit mendor sesa pacientët e rikuperuar të gripit dhe 16% më të lartë se pacientët e rikuperuar të infeksionit të traktit respirator.
Paul Harrison nga Universiteti i Oksfordit, i cili është dhe autori kryesor i studimit, paralajmëroi se “Shumë nga këto kushte janë kronike”, dhe pranoi se ai ka frikë nga implikimet afatgjata për shëndetin e njerëzimit.
“Si rezultat, sistemet e kujdesit shëndetësor duhet të marrin burime për të trajtuar nevojën e parashikuar, si brenda shërbimeve të kujdesit parësor dhe sekondar.”- shton Harrison.