Katër persona janë arrestuar pas protestës së mbajtur një ditë më parë në Mirditë, tre prej të cilëve janë nga Kosova.
Policia njofton se kanë arrestuar në flagrancë shtetasit: Besnik Paci, 48 vjeç, banues në Lezhë, organizatori i protestës së paligjshme; E. B., 22 vjeç, E. B., 21 vjeç dhe Ç. G.,22 vjeç, banues në Kosovë.
“Gjithashtu, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 30 shtetas të tjerë.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme në afërsi të tunelit të Kalimashit, në fshatin Thirrë, Mirditë, duke bllokuar lëvizjen e mjeteve në aksin Milot-Morinë, si dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, duke mos iu bindur urdhrit të tyre për të zhbllokuar qarkullimin e automjeteve.”– thuhet në njoftimin e policisë.
Këta persona akuzohen për veprat penale: “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.
Ditën e djeshme dhjetëra banorë të zonës si dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje protestuan kundër ndërtimit të një hidrocentrali dhe një fabrike uji në zonë.
Ata u mblodhën pranë Tunelit të Thirrës ndërsa qytetarët e aktivistët e Vetëvendosjes kanë deklaruar se janë shoqëruar padrejtësisht.