Kandidati i PD-së për deputet, Bardh Spahia u takua sot me tregtarët në lagjen Zdrale në Shkodër. Qytetarët iu ankuan atij për taksat që detyrohen t’i paguajnë shtetit dhe për shitjet e ulëta që po bëjnë.
“Ne vetëm paguajmë, drita, ujë, sigurime, të gjitha të rritura. Sot kam bërë vetëm 5 mijë lekë xhiro.”– tha një tregtare.
“Po të bëjmë sefte 1-2 artikuj gjithë ditën, jemi të gëzuar”– tregoi një tregtar këpucësh. “Me zor, me zor, me zor po mbijetojmë”- thotë një tregtar tjetër.
Një nga qytetarët iu ankua kandidatit Spahia se kanë 1 milionë lekë më tepër shpenzime në vit, ndërsa bëri një thirrje edhe për kandidatët e PS-së.
“Janë rreth 1 milionë lekë shpenzime më tepër në vit, xhiro ka rënë, njerëzit nuk kanë. Këto fjalë doja me ia thënë kandidatëve të PS që flasin në telefon me Edi Ramën sikur gjendja jonë është e mrekullueshme.“– deklaroi qytetari.
Bardh Spahia i inkurajoi tregtarët të flasin me çdo të njohur për t’u bërë pjesë e ndryshimit ditën e votimit.
“T’i japim përpara me të gjithë forcën dhe në 25 ta ndryshojmë. Të bashkojmë sa më shumë qytetarë rreth vetes duke votuar PD-në dhe duke bërë të mundur ndryshimin e madh”– u shpreh ai.