Kandidati i Pavarur për Dibrën, Elton Debreshi ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për rrëzimin e pragut kombëtar në sistemin zgjedhor proporcional rajonal.
Debreshi thotë se pragu prej 1% në rang kombëtar diskriminon kandidatët e pavarur pasi u kërkon të marrin më shumë vota se partitë për t’u zgjedhor deputet.
“Sot së bashku me avokatin Gentian Sejrani dorëzuam në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për rrëzimin e pragut kombëtar 1% të një sistemi zgjedhor proporcional rajonal. Ky prag diskriminon kandidatët e pavarur, të cilëve u kërkohen më shumë vota se partive për t’u zgjedhur deputet në një qark. Për nga detyrimi për të fituar së paku 1% të votave kombëtare, kandidatët e pavarur trajtohen si të ishin parti politike. Po për nga të drejtat ata kanë shumë më pak të drejta se partitë duke u votuar vetëm brenda një qarku.
Kjo kërkesë nuk behet për Elton Debreshin, as për zgjedhjet e kësaj radhe, por për të mbrojtur në të ardhmen demokracinë shqiptare nga monopoli antikushtetues i tre partive të mëdha”-shkruan Debreshi.