Tre persona janë arrestuar sot pas një operacioni antidrogë në Korçë, ku janë sekuestruar 12 gramë kokainë e 38 gramë heroinë.
Sipas policisë, porositësi i sasisë së drogës ishte 38-vjeçari Olivert Vreshtulla, kurse poseduesit ishin dy të rinj të moshës 18 dhe 20 vjeç me emrat Fatjon e Martin Kosturi.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, finalizuan operacionin e koduar ‘Porositësi’, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve F. K., 18 vjeç; M. K., 20 vjeç dhe O. V., 38 vjeç, banues në Korçë.
Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, se shtetasit e mësipërm ushtronin aktivitetin kriminal të shpërndarjes së drogave të forta, shërbimet e policisë organizuan veprimet dhe bënë të mundur lokalizimin e tyre në lagjen nr. 10, Korçë. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar, konkretisht shtetasit F. K., iu gjet një sasi prej 12 gram lëndë e dyshuar narkotike kokainë dhe 38 gram lëndë e dyshuar narkotike heroinë, të cilat iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Nga veprimet e mëtejshme hetimore, rezultoi se posedues të lëndës narkotike ishin shtetasit F. K. dhe M. K., ndërsa porositësi i saj ishte shtetasi O. V.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’, kryer në bashkëpunim.”- thuhet në njoftimin e Policisë.