Të tjera detaje bëhen me dije lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi një ditë më parë pranë xhamisë “Dine Hoxha” tek Rruga e Kavajës në Tiranë.
Katër prej të plagosurve kanë lënë spitalin pas marrjes së mjekimit, mirëpo i pesti është në operacion pasi ka dëmtime në pjesën abdominale shumë pranë veshkës. Ai është Kleon Jaupaj.
Sipas “News 24”, i dyshuari Rudolf Nikollaj në 6 muajt e fundit ishte shtruar 5 herë në psikiatri. Ai kishte shkaktuar incidente edhe më parë me besimtarët, duke shkuar në konflikte fizike.
Ai ka deklaruar se frekuentuesit e xhamisë e përgjonin, gjurmonin dhe nuk e linin rehat prandaj ai iu kundërpërgjigj me sulm me thikë.
Përpos kësaj, ai rezulton me precedent penalë për dhunë në familje, ndërsa edhe një muaj më parë kishte goditur me thikë një person me aftësi ndryshe tek terminali i autobusëve të veriut.
Çështja i ka kaluar tashmë për hetim Drejtorisë së Antiterrorit në Polciinë e Shtetit.
Nikollaj është referuar për financim të terrorizmit që dënohet si vepër penale në Shqipëri me 15 vite burg ose burgim të përjetshëm, apo gjobë 5-10 milionë lekë.
Sipas “Balkanweb”, në momentet e para të shoqërimit Nikollaj ka deklaruar se “Muslimanët duhet të ndëshkohen”.
Babai i tij ka treguar se i biri që plagosi pesë besimtarë brenda xhamisë falej dhe se kishte kaluar në depresion.
Zotëria ka thënë për mediet se vetë ishte katolik, por i biri ishte takuar me besimtarë myslimanë në Maqedoninë e Veriut e më pas kishte nisur të falej. Më pas ai kishte kaluar në depresion.