Partia Demokratike ka reaguar lidhur me incidentin e ndodhur ditën e djeshme në Kavajë, ku mbeti i plagosur sekretari i PD-së Bledar Okshuni.
PD hedh poshtë deklaratat e të dyshuarit të shpallur në kërkim Ndriçim Jonuzi se është mbëshetës i PD-së, apo ato të kryeministrit Edi Rama.
“Edi Rama merret me gënjeshtra dhe manipulime ndërkohë që dhunuesit nuk janë arrestuar akoma! Asnjë gënjeshtër nuk e ndihmon dot Ramën, sepse të gjitha faktet dëshmojnë se sulmuesit e djeshëm janë njerëzit e tij dhe kanë vepruar me qëllim. Ky është një sulm kriminal kundër demokracisë sonë nga një njeri që tashmë e di se do t’i humbe zgjedhjet. Të dielën ne do të fitojmë dhe do të sjellim ndryshimin, për të cilin Shqipëria ka nevojë!”– reagon PD.
Në foto, Jonuzi shihet në një tavolinë me kryebashkiakun Redian Krali, sëbashku me dy personat e tjerë të shpallur në kërkim pas incidentit të djeshëm: Merkel Shtylla i cili është punonjës i bashkisë si dhe Dorian Troplini, që është drejtor i Policisë Bashkiake.
Ky reagim i PD-së vjen pasi kryeministri Edi Rama deklaroi se autori i plagosjes, Ndriçim Jonuzi (Tahiri), nuk ka asnjë lidhje me Partinsë Socialiste, përkundrazi është një militant i Partisë Demokratike. Ndërsa mundohej të hidhte poshtë dyshimet se ngjarja ka pas motive politike.
“Është krejt e qartë që ngjarja e Kavajës s’ka asnjë motiv politik! Autori s’ka asnjë lidhje me PS, përkundrazi është militant i PD! PD s’ka faj për ngjarjen po për politizimin skandaloz! Lulëzim bëhu burrë, ndahu nga Iliri e Saliu, boll bëre kukullën e të paudhëve pa din e iman!”– shkruan Rama.
Po ashtu vjen pas dhe videos së publikuar online nga personi në arrati Ndriçim Jonuzi, i cili është shprehur se konflikti i tij me Okshtunin nuk kishte pas motive politike ndërsa e ka konsideruar veten mbështetës të PD-së, madje shprehej se ndihej i fyer nga kryedemokrati Lulzim Basha që e quante mbështetës të PS-së, duke i hedhur poshtë sakrificat e tij të bëra ndër vite për partinë.