Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha nga Kamza ditën e sotme deklaroi se koalicioni i kryesuar prej tij do shkojë drejt fitores në zgjedhjet parlamentare.
Basha theksoi se pushteti i Ramës do largohet me votë dhe fitorja do mbahet mend për bashkimin e shqiptarëve.
“E diela e fitores së thellë do ti takojë të gjithë shqiptarëve të bashkuar për ndryshim. Do të jetë pjesëmarrja më masive në historinë e vendit dhe fitorja më e thellë e shqiptarëve të bashkuar dhe të vendosur për ndryshim. Këtë e dëshmon kjo prani e jashtëzakonshme sot këtu në Kamzë. Këtë e kam parë në sytë e nënave dhe baballarëve, në sytë e rinjve dhe të rejave nga Saranda në Tropojë. E prek dhe e shoh kudo padurimin, etjen për ndryshimin që po vjen dhe nuk ka forcë që ta ndalë.
Sepse forca e ndryshimit ndodhet këtu, në këtë shesh dhe dhjetëra, qindra të tjerë si ky, të mbushur me shpresë, me besim dhe vendosmëri për t’i dhënë fund dimrit 8 vjeçar. Për ta larguar njëherë e mirë me votën më të madhe popullore njeriu që 8 vite me radhë e mbajti vendin peng, shkatërroi familjet tona duke i ndarë me emigracion, nëpërkëmbi, diskriminoi, përbuzi me arrogancë dhe harbutizëm qytetarët e Kamzës, Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. 8 vite dështime, 8 vite mashtrime.
Do të jetë miqtë e mi, një nga fitore historike të cilat do të mbahen mend për bashkimin e shqiptarëve si asnjëherë më parë. Sheshi është këtë shesh dhe që e kam parë ditë për ditë e natë për natë nga Saranda në Tropojë, në Tiranë, Durrës e Korçë këtë etje për ndryshim le ta kthejmë në uraganin masiv të votave për ndryshim. Ditën e diel të gjithë masivisht për veten tuaj, për familjet tuaja, për fëmijët tuaj dhe për këtë rini të mrekullueshme, për Shqipërinë si gjithë Europa, anëtare të Bashkimit Europian”- tha Basha.