Vendosni fjalën kyçe....

“Jeta e tij në rrezik”- mjekët nuk lejohen të vizitojnë Navalnyn në spitalin e burgut


Mjekë u liderit të opozitës ruse Alexei Navalny janë ndaluar ta vizitojnë atë në burg, pavarësisht gjendjes së tij të rënduar shëndetësore për shkak të grevës së urisë.

Navalny u transferua të dielën nga Moska në një njësi spitalore në një burg në Vladimir, një qytet rreth 180 kilometra në lindje të kryeqytetit, pasi avokatët dhe bashkëpunëtorët e tij thanë se gjendja e tij është përkeqësuar në mënyrë dramatike.

Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, Navalny tha se ai iu nënshtrua një kërkimi të lodhshëm fizik që zgjati për disa orë para dhe pas transferimit të tij.

“Do të qeshnit po të më shihnit tani – një skelet që vërtitet rreth qelisë së tij. Ata mund të më përdorin për të trembur fëmijët që nuk pranojnë të hanë: ‘Nëse nuk ha qull, do të jesh si ai njeriu me veshë të mëdhenj, kokë të rruar dhe sy të zbrazët.”– shkruhet në llogarinë zyrtare të Navalny-t.

Në këtë shënim, ai shtoi se ndihej i lumtur kur kishte mësuar nga avokati i tij për simpatinë dhe mbështetjen e madhe ndaj tij në Rusi dhe më gjerë.

Mjekja e tij personale, Dr. Anastasia Vasilyeva, udhëhoqi tre ekspertë të tjerë mjekësorë që të përpiqen të vizitojnë Navalny-n në klinikën e burgut në qytetin Vladimir. Mirëpo atyre iu ndalua hyrja pasi pritën me orë të tëra jashtë portave.

“Është një shfaqje mosrespektimi dhe talljeje me mjekët.”– shkroi Vasilyeva në Twitter, duke shtuar se “jeta dhe shëndeti i Navalny-t janë qartë në rrezik”.

Anastasia Vasilyeva

AP shkruan se avokatët e tij e vizituan atë të martën në njësinë e spitalit, ku zakonisht trajtohen pacientët me tuberkuloz.

Njëra prej tyre, Olga Mikhailovna, tha se Navalny-it i ishte injektuar glukozë të dielën, por asnjë gjë tjetër që nga ajo kohë sepse mjekët me sa duket nuk ishin aq të aftë sa për të gjetur një venë tek ai.

Avokatja tha se Navalny dukej “jashtëzakonisht i rraskapitur. Ai është shumë i dobët, ai duhet të ketë humbur rreth 20 kilogramë. Ai është shumë i dobët dhe duket se ka vështirësi në të folur dhe të ulet.”

Raportet në lidhje me përkeqësimin e shpejtë të shëndetit të Navalny kanë sjellë zemërim dhe shqetësim ndërkombëtar, me SHBA-në që ka reaguar ashpër ndaj Rusisë.

Navalny e filloi grevën e urisë në fund të muajit Marsit për të protestuar për mungesën e kujdesit mjekësor për dhimbjet e forta të shpinës dhe këmbëve që ai ndjente.

Navalni i mbijetoi një helmimi gati fatal vitin e kaluar dhe u arrestua kur u kthye në Moskë në janar pas trajtimit mjekësor që mori në Gjermani. Kremlini mohon të ketë patur ndonjë rol në helmimin e tij.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *