Kryeministri Edi Rama po zhvillon takimin elektoral të radhës në Fushë-Krujë, një nga zonat më të goditura nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019.
Rama u shpreh me krenari se ajo periudhë tregoi se ç’karakter kishte qeveria e tij. Ai shprehet se përmasa e njeriut shihet në ditë të vështirë, përballë të keqes.
Duke iu referuar tërmetit, Rama thotë se fëmijët e Fushë-Krujës, Thumanës e Bubqit do të jetojnë krejt ndryshe nga prindërit e tyre, në lagje si ato të Europës.
“Përmasa e njeriut nuk matet në ditë të mira. Përmasa e njeriut nuk matet në festa e gëzime. Përmasa e njeriut nuk matet kur gjithçka shkon fjollë, përmasa e njeriut matet në ditë të vështira. Përmasa e njeriut matet kur dridhet toka nën këmbë. Aty ne provuam se me çfarë materiali jemi bërë, provuam se çfarë karakteri kemi, provuam se çfarë mund të bëjmë të gjithë së bashku. Përballë çdo të keqe dhe çdo sfide.
Dhe sot në të gjithë këtë bashki kudo që të shkosh shihen provat e rezistencës sonë, këmbënguljes sonë e dëshirës tonë të madhe për të shkuar prëtej fatkeqësisë, e për të mos lënë vetëm asnjë familje, asnjë shqiptar.
E sot nga Fushë Kruja ku po merr formën e vet përfundimtare një lagje rezidenciale, si ato të të pasurve, por këtu jo për të pasurit, por për më të prekurit nga ne. Për ata që kurrë nuk do ta kishin mundësi që ta kishin një shtëpi si ajo që do kenë së shpejti. Për ata që kurrë s’;do kishin mundësinë jo pas, por edhe para tërmetit ta ëndërronin se do jetonin në një lagje me të gjithë parametrat e çdo lagjeje në Europë.
Edhe në Thumanë, ku ishte zemra e fatkeqësisë, aty po merr jetë dita ditës shëmbëlltyra e zemrës sonë, e zemrës sonë që rreh bashkë me zemrën e të gjithë shqiptarëve, duke filluar nga gjyshërit e gjyshet. Fëmijët e Thumanës dhe ato të Fushë-Krujës do të rriten krejt ndryshe nga siç u rritën prindërit e tyre. Por jo vetëm në Thumanë, edhe në Bubq po ndërtohet një lagje e re, ku fëmijët e Bubqit njësoj si fëmijët e Thumanës e të Fushë Krujës, do të rritëen krejt ndryshe nga sa u rritën prindërit e tyre. Do ndihen pjesë e një Shqipërie krejt tjetër.
Përfytyrojeni sa bukur është, ata fëmijë sot janë edhe përpara shumë fëmijëve të tjerë në zona të tjera, ata fëmijë sot do të dalin nga shtëpia dhe nuk do të kenë më këpucët me baltë kur të shkojnë në shkollë. Do shkojnë në shkollë e në kopësht dhe do të hynë në mjedise plot dritë, hapësirë e përkujdesje.”- tha Rama.