Kandidatja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj ka denoncuar se Bashkia e Fierit po heq banerin e partisë së saj në qytet.
Në një transmetim të drejtpërdrejtë në Facebook, Mehmetaj theksoi se ka një kontratë mes institucionit dhe LSI-së që po shkelet.
Ajo u kërkoi shpjegim punonjësve të Policisë Bashkiake: “Më shpjego pse po e heqni banerin. Më shpjego pse me heq banerin. Më trego shkresën.“
Por pasi nuk mori përgjigje, ajo së bashku me kandidatët e përfaqësues të LSI-së kanë shkuar në dyert e Bashkisë për të kontaktuar me zyrtarët, por nuk janë lejuar.
Ajo doli në një deklaratë, ku tha se ky baner që u hoq sot ishte i vetmi material propagandistik në këtë qytet që bashkia i ka lejuar LSI-së.
“Ai baner që është hequr sot në mënyrë të padrejtë, është i vetmi baner që LSI ka në gjithë bashkinë, sepse bashkia e Fierit ka shkelur ligjin, ndërkohë në gjithë perimetrin, janë vendosur materiale propagandistike të partisë në pushtet.”
Mehmetaj ka paralajmëruar se do të mbështetësit e LSI-së do të zhvillojnë sot protesta, nëse baneri nuk kthehet në vend. Kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë një takim elektoral sot në Fier, sipas Mehmetajt.