Vendosni fjalën kyçe....

Vuksani pre e atentatit me eksploziv dhe Prenga i arrestuar për prishje të pazareve të drogës, e shkuara e ish-policëve që u plagosën në vrasjen e Pjerin Xhuvanit


Ish-policë është pozicioni që kanë mbajtur të përfshirit në ngjarjen e sotme në Elbasan ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.

Përveç autorit të dyshuar të krimit, Arbër Papleka i cili ka qenë ish efektiv i repartit RENEA edhe dy të plagosurit e tjerë Pavlo Vuksani dhe Emiljan Prenga kanë qenë ish-policë.

Pavlo Vuksani, ish-efektiv i krimeve në DVP Shkodër. Vuksani është larguar nga radhët e policisë në vitin 2013.

Më 19 shkurt të vitit 2013, Vuksani ka rënë pre e një atentati me eksploziv. Artan Koçeku dhe dy vëllezërit Nikolin dhe Marjan Thani i patën vendosur eksploziv makinës së Vuksanit, në lagjen “Skënderbeg”, në qytetin e Shkodrës.

Operacioni i koduar “Pikat e karburanteve”, që çoi në arrestimin e autorëve, bëri të mundur edhe zbulimin e autorëve të vendosjes së eksplozivit ndaj automjetit të oficerit të Policisë Vuksani. Ata, gjithashtu kishin kryer grabitjen e 8 pikave të karburantit në zonën e Shkodrës dhe të Lezhës, vjedhjen e 12 dyqaneve si dhe të 2 automjeteve. Koçeku dhe Thani u vunë në pranga një muaj pasi vendosën eksplozivin. Nga shpërthimi nuk pati të lënduar.

I plagosuri tjetër, Emiljan Prenga, edhe ky ish-efektiv policie në Tiranë rezulton i arrestuar në nëntor të vitit 2016, pasi i kishte bërë presion shtetasit me iniciale K.P për t’i dhënë 11 mijë euro, pas prishjes se pazareve të drogës.

Kallëzuesi kishte porositur rreth 50 kg hashash në Krujë me vlerë 550 euro/kg për një mikun e tij në Durrës, Kërcënimet e Prengës  ndaj kallëzuesit nisin pasi që droga nuk arriti dot destinacionin për në Itali.

Polici pretendonte se e kishte kryer porosinë, ndërsa kallëzuesi nuk pranonte t’i jepet 11 mijë euro për 20 kg kanabis, me pretendimin se nuk ishte më puna e tij, por e personit nga Durrësi me të cilin duhet të kontaktonte./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *