Policia ka vënë në hetim tre simpatizantë të Partisë Demokratike në Maliq, pasi u përfshinë në një incident mbrëmjen e djeshme.
Bëhet fjalë për shtetasit Fatjon Dushku, Endrison Dushku dhe Ahmet Goroveci, të cilët dje ndaluan një automjet në të cilin pretendonin se kishte lekë për të blerë vota.
NJOFTIMI I POLICISË
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq, filluan procedimin penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasve F. D., 25 vjeç; E. D., 21 vjeç dhe A. G., 54 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq (simpatizanë të një subjekti politik).
Këta shtetas në mënyrë të kundërligjshme në fshatin Podgorie, Maliq, i kishin bllokuar rrugën me automjetin e tyre shtetasit Q. B., me detyrë administrator i Njësisë Administrative Vreshtas, Maliq, i cili udhëtontë me mjetin e tij, me pretendimin se në automjet kishte lekë për të blerë vota.
Nga verifikimet e kryera dhe kontrolli i ushtruar nga ana e grupit hetimor dhe shërbimeve të policisë në automjetin e shtetasit Q. B., nuk u gjet asnjë send kompromentues, në lidhje me procesin zgjedhor.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Njoftimi i rremë në organet e rendit” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të trasportit”.