Kandidati i Vetëvendosjes në Tiranë, Bojken Abazi, ka akuzuar komisionerët e KZAZ-së se po nxjerrin të pavlefshme votat e tij.
Kreu i Vetëvendosjes tha gjatë denoncimit të tij se në fletën ku është votuar për të, po vihet edhe një shenjë tjetër për ta bërë votën e pavlefshme.
Ai tha se ka materiale video ku tregohet ky veprim nga ana e komisionerit ndërsa shtoi se vjedhja po kryhet në bashkëpunim.
“Është duke ndodhur, edhe në këtë qendër votimi, ata vendosin me X një kuti të dytë, aty ku është votuar për ne, për t’i shpallur votat të pavlefshme. Numri i votave të pavlefshme po rritet me shpejtësi. Në bindjen tonë kjo rritet, sepse po i nxjerrin fletëvotimet të pavlefshme. Do nxjerrim një video, ku shihet se si komisioneri vendos një X në fletën e votimit, ku ne besojmë për t’i shpallur ato të pavlefshme. Këta po vjedhin në bashkëpunim. Qartazi një pjesë është e lidhur drejtpërdrejt me PS. Nga informacionet që kemi nga vëzhguesit tanë, shumica janë me PS, por ka edhe me PD. Polica po keqpërdoret sërish, me urdhra të jashtëligjshëm, që ata po i zbatojnë, me frikën se mos i heqin nga puna. Ka pasur momente kur policia ka ndërhyrë fizikisht edhe ndaj meje. Ka dhe një problematikë tjetër, dje procesverbali kishte 13 emrat në listë, ku unë jam i 13, ndërsa sot kishte vetëm 12, më kishin zhdukur. Kur u ankova, më thanë që të paraqes shkresën me shkrim. Kjo është situata në të cilën po zhvillohen këto zgjedhje në Shqipëri.” – tha Abazi.
Kreu i KZAZ-së ku ndodhet Abazi është përgjigjur duke thënë se çdo ankesë duhet të paraqitet me shkrim.
“Z. Abazi mund të paraqesë me shkrim çdo ankesë. Këtu po filmohet gjithçka. Vëzhguesit e z. Abazi gjatë gjithë kohës filmojnë e fotografojnë, kur në fakt këtë gjë nuk mund ta bëjnë. Ne do të vazhdojmë me numërimin dhe besoj nga mesnata do të kemi një rezultat paraprak.” – tha ai.