Vendosni fjalën kyçe....

BE u bën thirrje partive të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit


Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Borrell dhe Komisioneri për Zgjerimin, Varhelyi, u kanë bërë thirrje pative politike në Shqipëri që të pranojnë rezultatin e zgjedheve të 25 prillit.

Në deklaratën e përbashkët, dyshja cek gjetjet e raportit paraprak të OSBE-ODIHR si keqpërdorimi i burimeve dhe funksioneve shtetërore nga partia në pushtet ndërsa bën thirrje për hetimin e shitblerjes së votës.

Deklarata mbyllet me thirrjen që të ketë një dialog konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët politike.

Deklarata

“Të dielën, populli i Shqipërisë ushtroi të drejtën e tij demokratike për të votuar. Ne i përgëzojmë të gjithë ata që kontribuan për ta bërë të mundur këtë, pavarësisht kontekstit të vështirë të COVID-19. Zgjedhjet u mbajtën duke zbatuar një kornizë të re zgjedhore, të miratuar në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR-it.

Sipas gjetjeve dhe konkluzioneve paraprake të Misionit të Kufizuar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE / ODIHR-it, zgjedhjet parlamentare ishin përgjithësisht të organizuara mirë nga administrata zgjedhore, ndërsa fushata ishte e gjallë dhe gjithëpërfshirëse. Palët e interesuara patën besim të mjaftueshëm për të marrë pjesë dhe një Komision Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i reformuar e mbikëqyri procesin zgjedhor në një mënyrë transparente, duke gëzuar besimin e palëve të interesuara në të gjitha nivelet.

Vëzhguesit raportojnë shqetësime në lidhje me keqpërdorimin e burimeve apo funksioneve shtetërore nga partia në pushtet dhe figura të tjera publike. Ne i inkurajojmë të gjitha palët e përfshira në numërim që të veprojnë me shpejtësi dhe në përputhje me procedurat e vendosura. Të gjitha forcat politike duhet të sigurojnë tani funksionimin efektiv dhe demokratik të institucioneve të vendit të dala nga këto zgjedhje. Kjo përfshin përgjegjësinë për të ndjekur parimin demokratik të respektimit të rezultatit të zgjedhjeve. Çdo parregullsi e pretenduar duhet të sillet menjëherë në vëmendje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe autoriteteve të tjera kompetente, dhe rastet duhet të hetohen siç duhet, përfshirë blerjen e votës.

Ashtu si me aktivitetet e vëzhgimit diplomatik në ditën e zgjedhjeve nga Delegacioni i BE-së dhe përfaqësuesit e Shteteve Anëtare, BE-ja do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet elektorale deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve.

Shqipëria ka ecur shumë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, duke treguar këmbëngulje në ndjekjen e reformave të vështira në interes të popullit shqiptar. Periudha e tranzicionit deri në ngritjen e parlamentit dhe qeverisë së re nuk duhet t’i frenojë përpjekjet e vazhdueshme për zbatimin e reformave të nevojshme. Ne do të dëshironim ta shihnim vendin të hynte në fazën tjetër të procesit të pranimit, me mbajtjen sa më shpejt të Konferencës së parë Ndërqeveritare për nisjen e negociatave.

Ne presim që parlamenti dhe qeveria e re shqiptare të vazhdojnë ndjekjen me vendosmëri të agjendës së reformave të vendit, veçanërisht në lidhje me shtetin e së drejtës. Ne përsërisim thirrjen tonë për një dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *