Vendosni fjalën kyçe....

Qëndrimi i Gjermanisë për zgjedhjet e 25 Prillit: Të hetohen pa vonesë akuzat për shit-blerje votash


Pas rezultatit të zgjedhjeve të 25 Prillit, Ambasada Gjermane në Tiranë kërkin që të hetohen pa vonesë akuzat për blerjen e votave dhe të gjitha parregullsitë e denoncuara dhe regjistruara gjatë procesit zgjedhor.

 “Ne kemi ndjekur raportin paraprak të OSBE/ODIHR dhe jemi duke pritur atë përfundimtar. Të gjitha akuzat dhe ankesat, që kanë të bëjnë me zgjedhjet, mes tyre edhe ato për shitblerjen e votës, duhet të trajtohen pa vonesë dhe me vendosmëri – në këtë pikë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe organet e drejtësisë duhet të marrin përsipër një përgjegjësi të rëndësishme.”– thuhet në qëndrimin zyrtar të ambasadës, pas rezultatit të votimeve.

Ambasadori Peter Zingraf, uron Partinë Socialiste për fitoren dhe Partinë Demokratike për rritjen në këto zgjedhje, ndërsa u bën thirrje aktorëve politikë për bashkëpunim dhe pranim të rezultatit: “Vetëpërmbajtja dhe maturia e shumë kandidateve dhe kandidatëve ditën e zgjedhjeve meriton respekt. Unë shpresoj që të gjithë aktorët politikë të kenë edhe në të ardhmen një qasje konstruktive dhe bashkëpunuese ndaj njëri-tjetrit. Krahas kësaj presim që ata të njohin rezultatin e zgjedhjeve.”

Zingraf thekson se për Gjermaninë, është vendimtare rruga e mëtejshme e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.

Ai thotë që pret nga të gjitha partitë dhe aktorët politikë të kontribuojnë në mënyrë aktive në këtë drejtim ndërsa i kujton qeverisë Rama të bëjë para me reformat.

QËNDRIMI I AMBASADORIT ZINGRAF:

„Dita e zgjedhjeve të dielën e shkuar rrodhi e qetë dhe thuajse kudo e paqtë. Fakti, që një numër i madh qytetaresh dhe qytetarësh shqiptarë dhanë votën e tyre, bën të qartë dëshirën për të bashkëvendosur. Kodi i ri zgjedhor e kaloi me sukses testin e tij të parë.

Procesi zgjedhor vijoi përgjithësisht pa fërkime, administrata zgjedhore në nivel qendror dhe lokal bëri një punë të mirë – falënderimi im u takon atyre.

Ne kemi ndjekur raportin paraprak të OSBE/ODIHR dhe jemi duke pritur atë përfundimtar. Të gjitha akuzat dhe ankesat, që kanë të bëjnë me zgjedhjet, mes tyre edhe ato për shitblejren e votës, duhet të trajtohen pa vonesë dhe me vendosmëri – në këtë pikë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe organet e drejtësisë duhet të marrin përsipër një përgjegjësi të rëndësishme. Vetëpërmbajtja dhe maturia e shumë kandidateve dhe kandidatëve ditën e zgjedhjeve meriton respekt. Unë shpresoj që të gjithë aktorët politikë të kenë edhe në të ardhmen një qasje konstruktive dhe bashkëpunuese ndaj njëri-tjetrit. Krahas kësaj presim që ata të njohin rezultatin e zgjedhjeve.

Për ne me rëndësi vendimtare është rruga e mëtejshme e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Unë pres që të gjitha partitë dhe aktorët politikë të kontribuojnë në mënyrë aktive në këtë drejtim dhe që përmes reformash të tjera të bëhen hapa përpara. Përgëzoj Partinë Socialiste për fitoren. Qeveria e saj do të ketë një funksion kyç në këtë proces reformash. Po kështu përgëzoj edhe Partinë Demokratike, e cila ka mundur të shënojë një rritje të konsiderueshme krahasuar me zgjedhjet e fundit. Një demokraci e shëndetshme ka nevojë për një opozitë të fortë parlamentare si dhe për përfshirjen dhe kontributin e saj aktiv, për shembull në ligje dhe vendime që kërkojnë shumicë të cilësuar. Gjermania do të vazhdojë ta shoqërojë dhe mbështesë Shqipërinë edhe më tej në rrugën e saj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *