Gjatë fushatës zgjedhore është aluduar vazhdimisht se kryeministri Edi Rama po e përdor Rindërtimin për fushatë, e faktikisht një nga pjesët kyçe të diskursit të tij ka qenë pikërisht Rindërtimi.
Ai herë pas here u thoshte qytetarëve “Më votoni mua, për të çuar në fund Rindërtimin e banesave”, duke e konsideruar rivalin politik të paaftë për këtë punë, por vetëm “për gjumë”.
Kështu një kuriozitet i madh ka qenë se si do të votonin qytetarët në zonat më të prekura nga tërmeti, ku aktualisht po zhvillohen punime në kuadër të procesit të Rindërtimit.
Duke iu referuar të dhënave të KQZ-së, Hashtag sjell të dhënat se si kanë votuar qytetarët në këto njësi administrative të cilat janë shpallur me vendim qeverie “zona të reja për zhvillim”, a është përkthyer “fushata e rindërtimit” në më tepër vota për PS-në, apo nuk rezulton kështu? Po Partia Demokratike? Këto të dhëna krahasohen dhe me mënyrën se si kanë votuar qytetarët në zgjedhjet e kaluara parlamentare, pra të vitit 2017.
E duket se Partia Socialiste nuk ka patur një rritje aq të lartë në këto zona sa mendohej. Përkundrazi, edhe pse ka siguruar një numër më të madh votash se dy partitë e tjera, sikurse vihet re në tabelën e pasqyruar më poshtë, partia në pushtet ka pasur një rënie në krahasim me votimet e 2017-ës. Me rënien më të thellë, në Krujë me -8.65% të votave. Ndërsa rritjen më të madhe PS e ka patur në Vorë me +24.28%.
Partia Demokratike nga ana tjetër, ka patur një rritje të ndjeshme pothuajse në të gjitha njësitë administrative të cilat janë prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-ës. Rritja më e lartë është shënuar në Durrës me +14.04%, ndërsa rënia më e thellë ka qenë në Vorë me -3.19%.
Lëvizja Socialiste për Integrim ama, ka pësuar një rënie të thellë në të gjitha zonat, përveç Krujës ku ka patur një rritje prej 7.43%.
Në zgjedhjet e 25 Prillit, Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama arritën të siguronin mandatin e tretë qeverisës duke marrë 74 mandate.
Partia Demokratike dhe Aleanca për Ndryshim me në krye Lulzim Bashën arritën të merrnin 59 mandate dhe Lëvizja Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi pësoi humbjen më të madhe duke siguruar vetëm 4 mandate. Një surprizë e këtyre zgjedhjeve ishte Partia Social Demokrate e Tom Doshit, që arriti të sigurojë 3 mandate./D.Dobrozi – Hashtag.al