Vendosni fjalën kyçe....

Meta për numrin rekord të fletëve të pavlefshme: Luhen disa mandate, të hetohet


Në konferencën e sotme për mediat, presidenti Ilir Meta kërkoi hetim për numrin e lartë të fletëve të pavlefshme të regjistruara në zgjedhjet e 25 Prillit. Ai tha se në to luhen disa mandate.

Po kështu, presidenti Meta u bëri apel forcave politike që të mos cënojnë më tej intergritetin e procesit zgjedhor.

 “Në këto zgjedhje keni një numër të paprecendentë të fletëve të pavlefshme. Kushdo ka të drejtë të dyshojë. Duhet me shumë përgjegjshmëri të mos preket më asnjë kuti votimi, të numërohet e rinumërohet gjithçka, sepse pamjet janë atje. Është e lehtë për të parë ekspertizën nëse janë bërë dy kryqe nga e njëjta dore apo jo, apo nga dy duar të ndryshme. Pra dora e sovranit dhe dora e sekserit, e numëruesit, vëzhguesit.

Ndaj u bëj thirrje forcave politike të mos cënojnë më tej intergritetin e procesin, e të numërojnë e rinumërojnë deri në fund sipas Kodit Zgjedhor çdo votë.

Po kështu çdo krim zgjedhor e rëndon pozitën e atyre që do të përfshihen në krime të tilla për të mbuluar ato që kanë ndodhur apo mund të kenë ndodhur deri më tani. U bënj thirrje të mos merren me analiza të zgjedhjeve, po t’i shërbejnë mbarëvajtjes së procesit në transparencë, në bashkëpunim e në respekt të çdo vote. Ky është mesazhi im, i kërkoj dhe KQZ-së e institucioneve të jenë në gatishmëri të këtij procesi. Asgjë nuk na nxiton, deri në shtator kur krijohen institucionet e reja. Nuk ka nevojë të bërtasë njeri hap kutitë, kutitë janë hapur me kod.  Komisionerë, numërues, vëzhgues të përqëndrohen në këtë çështje.

Të bëhet një hetim i fletëve të pavlefshme. Një qytetar që nuk voton ka bërë zgjedhjen e tij, por të votojë, të rri në radhë e t’i datë e pavlefshme për shkak të marifeteve e kalkulimeve kjo është e pafalshme.”-deklaroi Meta.

Ai shtoi se kryeministri Rama po përpiqet të largojë vëmendjen nga 88 mijë votat e pavlefshme, pasi aty luhen disa mandate.

“Asnjë përgjigje për shashkat që duan të largojnë vëmendjen nga mbi 88 mijë vota ta pavlefshme që janë atje dhe që duhen parë se si janë bërë të pavlefhsme një pjesë e madh e tyre sepse nuk ka statistikë të justifikojë këtë rekord pavlefshmërie. Mund të lëvizin shumë mandate në gjithë këto qarqet, ne duhet ta mbajmë vëmendjen këtu.”- tha ai.

Në këto zgjedhje ka rezultuar një numër rekord votash të pavlefshme, plot 83 028 të tilla, një numër tejet i lartë kur marrim parasysh se në zgjedhjet e vitit 2017 ishin rreth 32 mijë vota të pavlefshme në total.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *