Kryeministri Edi Rama ka publikuar pak momente më parë një video nga Vlora ku shfaqet krah gazetarit të televizionit “News 24” Enrik Mehmeti, i cili rastisi dhe filmoi në momentin që po ndodhte grabitjen me armë në një argjendari pak ditë më parë.
“Vlorë, me Enrikun, gazetarin që u bë heroi i ditës duke vënë në rrezik jetën e tij për të mbrojtur qytetarët nga keqbërësit.”– shkruan Rama krahas videos.
Rama thotë se gazetari jo vetëm që shpëtoi njerëzit nga e keqja por edhe ndihmoi në ndalimin e tyre.
“Jam këtu në Vlorë me… e njihni këtë? Ky është Enriku, gazetari që u bë dhe shpëtimtar në mënyrën më vlonjatëshe, u doli përpara keqbërësve dhe jo vetëm që shpëtoi njerëzit nga e keqja por mundësoi edhe ndalimin e tyre.”– thotë Rama.
“Ishte momentale, ishte diçka që edhe nëse do të ndodhte prap do ta bëja prap.”– përgjigjet Mehmeti.
Rama i kthehet gazetarit duke thënë se janë momentet kritike që përcaktojnë njeriun dhe e konsideron atë shembull për të gjithë gazetarët e tjerë.
“Po momentet janë ato që e përcaktojnë njeriun. Në momente kritike duken karakteret kështu që shumë respekt, falenderime e mirënjohje për shembullin e jashtëzakonshëm dhe punë të mbarë si gazetar. Edhe një shembull për të gjithë gazetarët që nuk janë të detyruar të shpëtojnë njerëz nga keqbërja por të bëjnë çmos që gazetaria të jetë mirëbërëse dhe jokeqbërëse.”- shton kryeministri.
Lidhur me grabitjen, policia ka arrestuar një 17-vjeçar i cili me vendim të gjykatës është lënë në masën e sigurisë “arrest me burg”.