Lëvizja Socialiste për Integrim ka denoncuar mosveprimin e organeve të drejtësisë ndaj kallëzimeve të bëra prej saj lidhur me procesin e numërimit të votave.
Në një deklaratë nga selia e partisë, kandidatja e LSI-së në Tiranë, Erisa Xhixho, tha se edhe pse kallëzimi penale ndaj një prej anëtarëve të shtabit elektoral të PS-së është bërë që në 29 pill, deri sot nuk ka ende asnjë veprim.
Ajo shtoi se drejtoresha e Rilinddjes është shfaqur në pamje filmike duke tjetërsuar votën në qendrën e saj të numërimit.
“Teksa kanë kaluar një javë nga masakra elektorale e 25 prillit dhe kur i gjithë opinion publik pret reagimin e institucioneve të drejtësisë asnjë prej tyre nuk ka reaguar. LSI më 29 prill ka depozituar në organet e drejtësisë një kallëzim penal për një nga drejtoreshat e Rilindjes njëkohësisht dhe pjesë e shtabit elektoral të Partisë Socialiste në njësinë numër një. Zonja në fjalë ka konsumuar veprat penale 326 të Kodit Penal ‘Falsifikim i dokumenteve, rezultateve të zgjedhjeve’ dhe 326/A ‘Dëmtimi me dashje i materialeve zgjedhore’. Kjo video që është filmuar në KZAZ numër 31, tregon qartë për shkeljen e ligjit. Sipas Kodit Zgjedhor asnjë numërues nuk duhet të disponojë stilolaps gjatë procesit të numërimit dhe jo më ta përdorë atë për të cënuar vullnetin e qytetarëve.” – tha Xhixho.
Më tej Xhixho u bëri thirrje organeve ligjbatuese që të zbardhin sa më parë atë që e quajti krim elektoral. Në deklaratën e saj, ajo tha se LSI nuk do ndalet derisa cilido që ka cenuar votën e qytetarëve të dalë para ligjit.
“Organet ligjzbatuese të veprojnë dhe të zbardhin sa më parë këtë krim elektoral dhe të vënë zonjën në fjalë dhe këdo që ka cënuar ose deformuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë para përgjegjësisë penale. LSI nuk do të ndalet deri në momentin që kushdo që ka cënuar votën e qytetarëve shqiptarë të përballet me drejtësinë dhe të shkojë prapa hekurave. Në këto zgjedhje u pa qartë përdorimi i administratës publike dhe financave publike në funksion të blerjes së votës. Gjithashtu u pa sërish përdorimi i bandave të pushtetit për të deformuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë. LSI ka ngritur një grup ekspertësh për të verifikuar 83 mijë votat e pavlefshme që kanë dalë në të gjithë vendin. Ne do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore për të çuar në vend vullnetin e votuesve shqiptarë. Ditët në vijim do t’i paraqesim opinionit publik, fakte të tjera tronditëse që do të hedhin dritë mbi masakrën elektorale të 25 prillit të vënë në zbatim nga rilindja. Beteja jonë do të vazhdojë çdo ditë, pasi procesi nuk ka përfunduar ende. Ne nuk do ndalojmë deri në numërimin dhe rinumërimin e çdo vote të vlefshme, në respekt të vullnetit të çdo votuesi. Qytetarët shqiptarë meritojnë që procesi të mbyllet me transparencë dhe në bazë të ligjit deri në fund, sepse besimi i tyre te fuqia e votës jo vetëm s’duhet cënuar, por është me rëndësi për demokracinë në vendin tonë.” – mbylli deklaratë Xhixho.