Vendosni fjalën kyçe....

“Patronazhistët na informuan për rezultatin paraprakisht, jemi partia më e organizuar në Ballkan. Luli një Rrapush Xhaferr holandez” – Balla


Numri dy i PS-së tha mbrëmjen e sotme se PD-ja rikuperoi shumë në zgjedhjet e fundit krahasuar me ato të vitit 2017 por shtoi se këto janë kufijtë e saj.

I ftuar në emisionin ‘Real Story’, Balla shtoi se rikthimi i PD-së në Parlament është gjëja më e mirë që mund të ndodhë.

“Është gjëja më e mirë që PD të rikthehet në Parlament. E përshëndes nëse PD ka kuptuar që rruga e bojkotit dhe e largimit nga institucionet nuk të çon asgjëkundi përveçse në humbjen tjetër të radhës. Uroj që PD t’i rikthehet institucioneve. Të qenit jashtë parlamentit nga 26 shkurti i vitit 2019 dhe më pas dhe mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore e nxori PD nga sistemi. PD bëri një fushatë të fortë. Ka rikuperuar në një pjesë të madhe të territorit nga diferenca e madhe e 2017-ës, por të mos harrojmë që këto janë limitet e PD. Unë rezultatin e PD në Elbasan e kam parashikuar në kokë. Është i njëjti rezultat që PD ka marrë në vitin e vet më të mirë, në vitin 2009.” – tha Balla.

Sekretari i Përgjithshëm i selisë rozë tha se në përballjet e drejtpërdrejta, PD-ja nuk ka fituar asnjëherë me PS-në ndërsa shtoi se vendi është në një moment historik për sa i përket integrimit në BE.

“Në Shqipëri në gjithë këto vite gjithmonë ka një avantazh në vota të PS-së. Në 2009 kemi qenë në një avantazh prej 20 mijë votash me PD-në. Jemi në një moment tejet historik për rrugën europiane të Shqipërisë. Ne na duhet domosdoshmërisht brenda presidencës portugeze ne të mbajmë konferencën e parë ndërqeveritare. Viti i ardhshëm fillon me presidencë franceze. Një presidencë franceze që brenda vetes ka dhe zgjedhjet presidenciale franceze. Do të ishte pothuajse e pamundur e as duhet çuar në mendjen e ndokujt të flitet për procese zgjerimi përgjatë asaj presidence.” – shtoi Balla.

Ai ironizoi kreun e PD-së Basha për premtimet e tij gjatë fushatës duke thënë se ai ishte një Rrapush Xhaferr a një Vehbi Alimuç në stilin holandez.

“Ne rindërtuam shumë shtëpi. Në Shqipëri po bëhen qytete të reja, pasi tërmeti shkatërroi banesat. Ne përballuam me sukses tërmetin dhe pandeminë e Covid. Qytetarët në fund kishin dy alternativa, një të PS-së, e kishim program krejtësisht normal në dobi të shqiptarëve, Ne ata që thamë i kishim bërë, iu thamë qytetarëve që votoni çfarë kemi bërë ose zgjidhni një rrugë qorre që ishte PD. Në anën tjetër kemi Bashën, që nuk mund të thuhet se është lider, që ka dështuar, që s’kishte program e ekip. Shqiptarët nuk i merr dot më për budallenj. Shqiptarët e panë se Basha po gënjente. Basha ishte një Xhaferr i ri, ishte një Vehbi Alimuç në variantin holandez. PS është partia më e organizuar jo në Shqipëri, por në Ballkan. Patronazhistët tanë na kanë informuar për rezultatin paraprakisht. Edhe në SHBA bëhen llogaritje nga partitë serioze se sa përqind të votave marrin.” – deklaroi Balla.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *