Drejtuesi i PS-së në disa njësi administrative në zgjedhjet e 25 prillit, Ervin Bushati, tha mbrëmjen e sotme se fitorja e partisë ishte edhe fitorja e tij.
Bushati theksoi se nuk kishte bërë fushatë për veten e tij në Tiranë, pasi do kishte arritur rezultat shumë më të mirë.
Ai ishte i ftuar në emisionin ‘Frontline’ në News24, ku tha se qytetarë të shumtë, mes të cilëve edhe demokratë i kanë thënë se nëse do e kishin njohur situatën, do ia kishin dhënë edhe ata votën.
“Fitorja e PS është fitorja ime. Ne kemi arritur një rezultat më të lartë se vitet e tjera. Mund të them që ndihem krenar, ndihem shumë mirë, për mënyrën si fituam në Tiranë. Të gjithë kanë ndihmuar në mënyrën e tyre. Me pak fokus mund të kishim bërë një punë më të mirë, për të fokusuar qytetarët, por edhe për t’i shpjeguar për listën. Meritat për fitoren i merr PS. Nuk duhet parë brenda ekipit se çfarë ka bëri njëri apo tjetri. Të gjithë njerëzit, që takoja, e thonin se numri 3 është i sigurt. Të gjithë më thonin ‘Ervin, ti e ke të sigurt’. Ka dhe demokratë apo nga forca të tjera që më marrin në telefon e më thonë ‘ta dija kështu, do të të kisha votuar edhe unë’. Nëse isha unë kapiteni moral, heroi moral, punë e madhe, në fund të ditës është e rëndësishme fitorja.” – tha Bushati.